Alsat 2019-09-09T15:01:48+02:00
Festa është e dyfishtë, sidomos kur dita e festës ndodh të jetë gjatë fundjavave. Të paktën festat shtetërore, për ata që janë të punësuar në institucionet shtetërore dhe publike bëhet pushim i zgjatur. Dita e Pavarësisë, dje u shënua në mënyrë zyrtare, kurse sot është ditë jo pune. Qytetarët thonë se për ta nuk ndryshon gjë, por pushtetarët këto festa i kanë rregulluar siç u përshtatet atyre, për të pasur fundjava të vazhduara me pagesë.
“Ne maqedonasit veç festat do t’i festojmë, punë nuk kemi. Më pak festa – më shumë punë të ketë për të rinjtë e të vjetërit. Të përmirësojmë jetën me punë. Çfarë është kjo? Një ditë festë dy-tri dit tjera jo pune, diçka nuk është në rregull. Personalisht isha në Amerikë, po kjo nuk është askund.”
“Në diasporë nuk ndodh kjo se atje më shumë i japin përparësi punës sesa këtyre gjërave. Me një popull që nuk vlerësohet koha dhe njeriu atëherë s’ka ardhmëri. Atje e vlerësojnë kohën, këtu s’ke vlerësim, gjithë rrugët janë plotë ditë e natë, kurse atje ke program.”
Për këtë punëtor nuk ka ditë feste. Ai thotë se punon çdo ditë për të siguruar kafshatën e bukës.
“Nuk është në rregull, por ata e kanë rregulluar për vete, por ne duhet të punojmë. Kjo i konvenon qeverisë se ata e kanë bë. Për mua nuk vlen kjo, unë kisha punuar edhe sot për kafshatën e bukës.”
“Sot nuk është festë, dje ishte. Unë dje festova! Unë nuk jam administratë të mos punoj, mua më duhet vet t’i paguaj kontributet. Shteti ka festë për vete, për neve me dyqane të vogla e privat duhet të punojmë që t’i mbulojmë shpenzimet.”
Sipas hulumtimeve tona, kjo praktikë është e njëjtë edhe në pesë vendet e tjera të Ballkanit, të cilat aspirojnë për t’u integruar në BE, por jo edhe në vendet e BE-së. Ende nuk është e qartë neëse kjo praktikë e festave duhet të harmonizohet sikurse vendet e tjera të BE-së. Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale thonë se kjo çështje është e rregulluar me ligjin për festat, i miratuar që në vitin 1998, por që është pasuruar disa herë me ditë të reja festash.
Neni 2 dhe 3 i Ligjit për festat në RMV, thotë:
“Ditë jo pune janë festat shtetërore të RMV-së: 1 Janari – Dita e Vitit të Ri, 7 Janari – Krishtëlindjet Ortodokse, 1 Maji – Dita e Punës, 24 Maji – Shën Kirili dhe Metodij, Dita e Bajramit, 2 Gushti – Dita e Republikës, 8 Shtatori – Dita e Pavarësisë, 11 Tetori – Dita e kryengritjes popullore, 23 Tetori – Dita e revolucionit maqedonas, 8 Dhjetori – Dita e Shën Klimentit të Ohrit. Nëse këto festa bien në ditën e diel, atëherë e hëna do të jetë ditë jo pune.”
Sipas programit të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, 11 janë ditë jo punë për të gjithë qytetarët e vendit. 5 ditë të tjera janë feste vetëm ër besimtarët ortodoks, 3 ditë janë jo pune për pjesëtarët e fesë katolike dhe 1 ditë tjetër feste është jo pune për besimtarët myslimanë. Ndërsa, 7 ditë tjera janë jo pune për komunitete e tjera më të vogla, të cilat gjithsej e qojnë numrin e ditëve jo punë, në 27 ditë festash me pagesë.
Adnan Qaili
Loading…




