Deri sa ishte BDI e fortë me 150 mijë vota shqiptare dhe me 20 deputetë, Mitko Çavkovin se ndalte asgjë. Dy herë u zgjodh ministër i punëve të brendshme, ishte zv/ministër, u emërua drejtor i Drejtorisë për Siguri Publike. Edhe pse roli i tij ishte kyç në aksionin kontrovers në Lagjen e Trimave, BDI e përkrahte Çavkovin pa asnjë rezervë, gjithkund ku i nevojitej kjo përkrahje. Mirëpo krenaria e Çavkovit dhe VMRO-së filloi të rrënohet që kur shqiptarët përgjysmuan BDI-në me vota. Që atëherë filloi rënia politike e VMRO-së. Madje pas dobësimit të BDI-së, funksionarë të VMRO-së nuk po e ndiejnë veten mirë as në aspektin shëndetësor, siç është rasti i ish ministrit Çavkov. Mediumet maqedonase kanë komentuar edhe dukjen e ish kryeministrit Nikolla Gruevski gjatë paraqitjes në gjykatë, duke e përshkruar si të dobësuar, të lodhur dhe të mplakur. Disa mediume maqedonase poashtu shkruajnë se edhe ish ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska gjendet buzë çrregullimit nervor.
“Kjo dëshmon se BDI ishte paterica që e mbante në këmbë VMRO-në. Fatmirësisht që shqiptarët e përgjysmuan numrin e deputetëve të BDI-së, sepse Mitko Çavkov në vend se të shtrihet në spital, sot do të ishte ende ministër. Vetëm edhe një deputet të kish marrë më tepër BDI-ja, VMRO sot ende do të ishte në pushtet. Fatkeqësisht BDI mbeti në pushtet dhe mendoj se ende sado kudo po e mbron VMRO-në. Mirëpo ja po afrohen zgjedhjet e reja dhe shqiptarët do të kenë edhe një rast të ‘shpërblejnë’ ata që ishin në koalicion me Gruevskin, Mijallkovin, Jankullovskën, Çavkovin, e kështu me radhë”, thotë për Gazetën Lajm analisti Sevdail Rrahmani. Ai thekson se BDI vetëm nga frika se shqiptarët do ta dënonin edhe më teër nuk bëri koalicion me VMRO-në, se përndryshe mendjen e ka ende te partia e Gruevskit.
A ka gjasa që problemet shëndetësore nga VMRO të përfshijnë edhe degën e kësaj partie në BDI? Për disa mediume është indikative dhe brengosëse edhe sjellja e zv/kryeministrit për eurointegrime, Bujar Osmani dhe videot e çuditshme që ai po i incizon, për 30 ditëshet e 50 ditëshet e qeverisë. Shum miq të tij të mëhreshëm thonë se me sjelljen në këto video, Osmani nuk i përngjan fare “Bujarit kur ishte djalë i mirë, para se të bëhet ministër në qeverinë e Gruevskit”.
Pas gjithë këtyre zhvillimeve, më i saktë dhe më parashikues duket komenti i analistit Ramadan Ramadani, i bërë një ditë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, kur shkroi: “E bëmë synet VMRO-në, ia premë BDI-në”./Gazeta Lajm

