Për të funksionuar demokracia dhe për të ndërtuar shtet ligjor, ku qytetarët kanë të drejta të barabarta, ku fëmija mbrohet me ligj dhe ka të drejtat e veta të rritet pa dhunë, ku gruaja është e barabartë dhe ka të drejtat e veta të trajtohet si njeri dhe pa dhunë, pikë së pari demokracia duhet të depërtojë në familje me të gjitha ligjet e veta. Meqenëse faktet shkencore na dëftojnë se dhuna ndikon në rënien e masës gri në tru dhe rënien e inteligjencës, atëherë kemi një arsye të madhe për të ndryshuar.
Nëse kemi një kuvend, ku deputetët e tij mohojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, atëherë ata përfaqësues janë përfaqësues fashistë që luajnë një rol, por që shkelin dhe përbuzin Kushtetutën në shtëpi, derisa paguhen nga shteti për ta dëmtuar dhe rrënuar atë.
Familja është qeliza e parë e një kombi. Disa familje bëjnë një lagje. Disa lagje një grup më të madh dhe shumë grupe, një popull. Nëse aty dominon dhe kultivohet patriarkalizmi, shtet ligjor nuk mund të kemi kurrë. Do të përpiqen të luajnë role si në teatër, do të mundohen të dërgojmë jashtë mesazhe se ne po ndërtojmë diçka, por që ne, nuk kemi as dëshirë, as dije, as vullnet ta realizojmë.
Pse fundi i fundit, kur nuk e bëjmë në shtëpi? Demokracia e vërtetë do të çrrënjoste patriarkalizmin, do të ndryshonte raportet në shtëpi dhe kërkonte barazi, aty ku ata nuk janë mësuar ta bëjnë, aty ku nuk e duan. Do ta krijonte familjen, ku anëtarët ndërlidhen me dashuri dhe respekt, jo siç është në shumë raste bashkësi interesi, ku ka dominues dhe të nënshtruar, siç ishte para mijëra viteve. Në shoqëritë patriarkale rrënimi i demokracisë nis në familje. Mosfunksionimi edhe në shtet, është shfaqje krejtësisht normale. Është pasojë e domosdoshme, që nuk mund të parandalohet.
Hulumtuesi i lumturisë, sociologu i Universitetit të Bremenit, profesor Jan Delhey, ka bërë kërkime me kolegët e tij edhe nëpër shumë vende të varfra dhe ka ardhur në përfundim se kudo paraja luante një rol të madh në lumturinë e njeriut. Sociologët kanë veçuar dhjetëra faktorë që ndikojnë në lumturinë e njeriut dhe ato janë në mes të tjerash: liria për të marrë vendime, shteti ligjor, barazia, sigurimi social, por si kryesor ndahen në tre grupe që krijojnë një formulë të lumturisë këto: me pasë, me dashtë dhe me qenë.
Me pasë: është vendi i punës, rroga, standardi jetësor, të mirat materiale që na rrethojnë dhe fitime të mjaftueshme. Për të jetuar njeriu i duhet edhe dashuri, kontakte sociale. Tek asnjë popull nuk është gjetur dëshira për t’u nënshtruar. Siç shihet, nuk është shëndeti në rend të parë, sepse me shëndet në një vend të shkretë, nuk arrihet gjë.
Si më të palumtur sociologu me kolegët e tij ka veçuar njerëzit, që nuk kanë punë, pra që nuk fitojnë, pastaj ata që nuk kanë një njeri që e duan, ose të shkurorëzuarit dhe duke munguar ato dy të parat, e pëson pastaj edhe shëndeti. Nëse marrim ata tre faktorë dhe me to krahashojmë gratë shqiptare, disa martesa pa dashuri, në të kaluarën të gjitha, por jo vetëm te ne, mungesa e punës, atëherë mund të kuptojmë shumë mirë pse në fytyrat e shumë grave mungon buzëqeshja, por shihet shumë qartë mjerimi, rezignacioni, që u lexohen në fytyrë edhe në rrugë, edhe në shtëpi.
Se sa janë të lumtura gratë shqiptare duke mos pasur vend të punës, duke mos pasur rrogë, por duke qenë të varura tërësisht nga burri, se sa janë të lumtura ku shihet se edhe sot martohen me shkues, domethënë pa dashuri, se sa e lumtur mund të jetë, kur i mohohet apo mbikëqyret liria e lëvizjes, e fjalës, tregon qartë ajo formulë. Kjo domethënë se ne kemi vendosur një demokraci vetëm për burra dhe kjo është arsyeja kryesore pse demokracia jonë është banale, e qurraftë dhe e pshurrët.
Një popull, ku 42 për qind të grave jo analfabete pranojnë dhunë si masë edukative, ku diskriminimi gjinor konsiderohet normal, ku rrahja e fëmijës quhet edukatë, vështirë se mund të ndërtojë shtet ligjor, për të mos thënë, duhet shpresuar se ndoshta përmbarohet në vitin 2115.