Mr . Hamdi Nuhiju
Në emisionin “Pa kufij” që po transmetohet në Radio Shkupi, Tirana dhe Prishtina, me datën 02 shkurt të vitit 2023, bashkë me kolegët në Tiranë dhe Prishtinë biseduam shumë tema të cilat i kam përzemër.
Biseduam për dallimin e mediave klasike me ato moderne, mbijetesën e mediave klasike karshi trendit të mediave moderne, vetë-rregullimit të mediave, legjislacionit, abuzimit, sulmeve kibernetike si dhe ndikimit të keqpërdorimit të termeve dhe medieve.
Senzacioni dhe mënyra e paraqitjes së gjinisë femërore në kronikën e zezë ka qenë një temë interesi për të gjitha hulumtimet e mia gjatë këtyre viteve përvojë në gazetari.
Në vijim po ju prezantoj rrjedhën e përgjigjeve të mia tematike në bazë të rrjedhës së emisionit.
Dallimi mediat klasike-moderne
– Varet prej synimit të mediave. Mediat klasike ruajnë autenticitetin e vet. Ato edukojnë masat, edukojnë njerëzit në vazhdimësi. Njerëzit kanë nevojë për mediat të cilat ruajnë kulturën, traditën, doket, si dhe motivojnë dhe edukojnë njerëzit. Për shembull, para disa kohësh ju si radio kishit përvjetorin e 78. Ju uroj përvjetorin e Radio Shkupit. Një medium i cili me gjenerata të tëra ka prodhuar dhe edukuar gazetar të cilët e kanë mbajtur gjallë skenën kulturore, artistike dhe gazetareske te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Kur jemi te konkurrenca, është normale ky trendi i mediave klasike me mediat e reja moderne të themi ashtu, është një luftë e përhershme. Ky problem nuk është lokal, po është një problem global. Me transformimin e mjeteve teknologjike, mendoj se edhe mediat tradicionale kanë gjetur forma të saja të vetat të mbijetesës dhe të trasimit të idesë dhe të vazhdimit të misionit të tyre fisnik të cilën e kanë pasur dhe e kanë kultivuar gjatë dekadave të tëra.
Abuzimi-dezinformata
– Është një vijë e hollë, por jo aq midis dezinformatës dhe keqpërdorimit. Nëqoftëse vetëm dezinformata do të ishte problem i këtij shekulli, atëherë po besoj se do të pajtohen edhe të tjerët, ndoshta më lehtë do të zgjidhej edhe ky element. Pak a shumë sfera mediale do të pastrohej prej dezinformatave. Problem tejet i madh dhe shqetësues është edhe keqpërdorimi i mediave, keqpërdorimi i lirisë së mediave, senzacioni. Njerëzit, gazetarët në ditët e sodit po kërkojnë lajme senzacionale. Për shembull, kemi pasur rastin me has dhe me lexuar e me përcjell nëpër mediume të ndryshme, forma të ndryshme mediale, kronikën e zezë dhe mënyrën se si prezantohen femrat-gratë. Për mua, personalisht, është e palogjikshme që në titull me qëndruar se një grua është shkelur me veturë në një rrugë të qytetit të Shkupit ose të qytetit të Tiranës. Pse opinioni, pse lexuesit, pse njerëzit, duhet ta dinë se personi i cili është viktimë në këtë rast është grua? Pse ta dinë gjininë e viktimës?
Ose në rastin tjetër, kemi një shpërndarje të anti-vlerave si dhe keqpërdorimin dhe prekjen në emocionet e ndryshme religjioze-fetare si dhe plasimin e ideve të ndryshme të cilat për rajonin dhe vendin tonë janë të palogjikshme dhe të papërshtatshme për momentin. Ndoshta gjeneratat e ardhshme me absorbimin e këtyre ideve edhe mund që të filtrohen, të bëhen njëjtë, ta pranojnë atë realitet të ri. Për momentin rrethanat janë të tilla të cilat idetë e ndryshme të cilat lirshëm rrjedhin në vendet perëndimore është pak problematike të gjejnë një pellg të mjaftueshëm të distribuimit të tyre tek ne.
Legjislacioni dhe vetë-rregullimi
– Në Maqedoni kjo temë është e hapur, po besoj se kjo temë është e hapur në të gjitha vendet pa përjashtim. Pasi që, jo rastësisht u tha se mediat janë pushteti i katërt në botë. Momentalisht është duke u përgatitur një ligj, harmonizimi i Ligjit për shërbime audiovizuele në Maqedoninë e Veriut me Rregullativën e Bashkimit Evropian. Siç dihet Maqedonia e Veriut veçse ka nisur me procesin e skriningut, ku në këtë proces, pjesa tepër e rëndësishme është çështja e Ligjit për shërbime audiovizuele.
Kur jemi te ligji për shërbime audiovizuele ekziston një mospajtim-mos dakordim te pjesa e definimit të lirisë së shprehjes. Edhe pse në Maqedoni, në suaza të Ministrisë së drejtësisë ekziston një ligj që ka të bëjë me Ligjin për shpifje. Ekziston edhe një element tjetër i cili, një pjesë të mediave nuk i njeh për media. Jo rastësisht u përmend më herët se varet se çka definojmë me media. Nuk e di, ndoshta qëllimisht është lënë jashtë ligjit një gamë e gjerë e mediave, rrjeteve sociale, si jo media, ose si mjete komunikimi të cilat nuk i kap ligji. Një shembull konkret, në qoftëse në zgjedhjet lokale ose parlamentare një garues i cili është bartës liste ose është pjesë e listës së ndonjë partie politike, mban një press konferencë dhe i fton mediat. Po flasim prej praktikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Mediumet nuk kanë të drejtë ta transmetojnë. Cilat mediume? Televizionet dhe radiot. Po ato kanë të drejtë ta transmetojnë në rrjetet sociale. D.m.th. këtu është një paqartësi, një konfuzion i qëllimshëm i të gjitha palëve. Pasi që përfshihen shumë grupe të interesit të cilat shohin rrezikshmëri ose kërkojnë të gjejnë mënyrën se si të mbrohen prej dominimit të palës tjetër. Kërkesa më e madhe e gazetarëve në lidhje me përgatitjen e ligjit të ri për media në Maqedoninë e Veriut ka qenë çështja e nenit 102. Neni 102 rregullon çështjen e mënyrës së financimit të mediave, ose ndarjen e një pjese të buxhetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut për disa media që janë të ranguara lart. Ky nen është tepër diskutabil. Ka përkrahje prej disa subjekteve të caktuara politike, por është në kundërshtim me rregullativën e Unionit Evropian.
Në anën tjetër, në Maqedoninë e Veriut është e rregulluar edhe çështja e gazetave edhe mediave të shkruara, pasi që përkrahen, marrin mbështetje prej shtetit normal jo të gjitha, po disa. Po gjithmonë këtu ekziston rreziku i cenzurës si dhe rreziku i kontrollit.
Kur jemi te çështja e vetë-rregullimit të mediave, ky krijon skandale të ndryshme sikur ne në Maqedoninë e Veriut jetojmë me realitetin e fyerjeve të ndryshme që bëhen ndaj komunitetit bullgar. Dhe prishja e raporteve midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë pikërisht për shkak të keqpërdorimit të vetë-rregullimit të mediave. Pse e them këtë? Një shembull konkret. Me rastin e djegies së autobusit në Bullgari, ku u dogjën disa persona nga Maqedonia e Veriut një gazetar bullgar del dhe publikisht thotë u dogjën aq – aq njerëz në një deklaratë publike në rrjetet sociale. Brenda 24 orëve, ai person arrestohet nga ana e autoriteteve bullgare. Në anën tjetër, në Maqedoninë e Veriut ka urrejtje të hapur, ka media të cilat haptazi bëjnë thirrje anti-bullgare dhe deri tani përveçse deklaratave publike nga ana e politikanëve nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret ligjor i cili do ta rregullonte këtë çështje.
Elementi i vetë-rregullimit të mediave është mirë që të ekzistoj si shtyllë bazike për të gjithë gazetarët të cilët punojnë, por ky element shkon me edukimin medial të gazetarit si dhe me përvojën të cilën ai e merr ndër vite. Nuk duhet të jetë bazë përfundimtare si dhe nuk duhet që të jetë korniza e fundit jashtëligjore e cila nga frika e cenzurimit të jashtëm të ligjit tani ne gazetarët do të merremi vesh vet. Jo, duhet patjetër të ketë një autoritet, një ligj, një dogmë, një fuqi më e madhe që të ketë një lloj rrugëtimi, kontrolli në kuptimin jo të cenzurimit, por kontrollit në kuptimin e ruajtjes së unitetit e jo daljes në kaos, jo në keqpërdorimin e termeve të ndryshme i cili do ti ndihmonte ruajtjes së rrjedhës së burimeve të informacioneve që do të transmetoheshin nga ana e mediave.
Sulmet kibernetike
– Prej anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO e deri më sot, kjo tema e sulmeve kibernetike është bërë jashtëzakonisht aktuale. Ne jemi dëshmitar të sulmeve të rrejshme me bomba nëpër shumë shkolla fillore. Po ashtu, jemi dëshmitar edhe me mënyrën se si institucionet shtetërore i qasen këtij problemi. Këto sulme kibernetike vijnë prej burimeve të ndryshme, kanë qëllim që të krijojnë pasiguri shtetërore si dhe në shtimin e pasigurisë tek njerëzit. Gjithmonë ndodhin, janë prezentë në momentin e krizave politike ose ekonomike. Kur shtetet e ndryshme përballen me kriza politike, gjithmonë shfaqen sulme të këtilla kibernetike me qëllim të shpërqëndrimit të vëmendjes. Kjo ndoshta e ka burimin e njëjtë te dezinformata, ato që prodhojnë dezinformatën ato janë në gjendje të mendojnë një variant dy ose një plan b i cili mund të jetë një sulm kibernetik. Qëllimi ndoshta mund të mos jetë i njëjtë, po dëmi është i njëjtë: krijon pasiguri te njerëzit, pasiguri tek të rinjtë, te fëmijët.
Big Brother edhe në Maqedoni
– Megjithatë , kur merren parasysh, koncepti i lirisë së shprehjes, kur ekziston koncepti i ligjit për shpifje, kur ekzistojnë disa koncepte, kodi etik në gazetari, mendoj se nëse i kanë parasysh mediat këto elemente dhe në bazë të këtyre elementeve ndërtojnë reality shou të cilat momentalisht po transmetohen në Kosovë dhe në Shqipëri, atëherë kjo gjë është mënyrë e krijimit të audiencës dhe mënyrë e prodhimit të interesave të caktuara të cilat i mundësojnë që të kanë vazhdimësi në treg.