Deputeti socialist Ulsi Manja e ka konsideruar antiligjor nismën e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla për të emëruar zv/ kryeprokuror. Manja tha se kjo detyrë nuk i takon Lallës.
Sipas deputetit socialist, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të zgjidhet nga Adriatik Llalla i cili ka funksione të limituara që e kufizojnë vetëm në emërimin e përkohshëm të magjistratëve.
Sipas Manjës Prokurori i ri është ai që sipas parashikimit ligjor ka tagrin të zgjedhë zëvendës prokurorin. Deputeti socialist ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vonimin e zbardhjes së Vettingut duke thënë se nuk e kupton pse nuk po zbardhet.
“Kushtetuta dhe ligji i ri për prokurorinë ka përcaktuar mjaft qartë procedurën, mënyrën dhe kush e zgjedh zv/prokurorin e përgjithshëm. Në këndvështrimin e Kushtetutës dhe ligjit kjo gjë nuk mund të ndodhë.
Ligji e ka përcaktuar qartë që zv/ prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga prokurori i ri që do të zgjidhet. Lidhur me shqetësimet për disa emërime apo transferime që janë bërë gjatë kësaj kohe nga ana e prokurorit të Përgjithshëm dua të sjell në vëmendje se kompetencat e prokurorit sa i takon transferimeve e emërimeve apo ngritjeve në detyrë janë të limituara sipas kushtetutës dhe ligjit për prokurorinë.
Më lejoni të them se Prokurori i Përgjithshëm në këtë fazë të reformës në drejtësi ka të drejtë të bëjë vetëm emërimin e përkohshëm të magjistratëve, ndërsa gjithë pjesa tjetër është në shkelje të ligjit për prokurorinë që tashmë është në fuqi” u shpreh deputeti socialist, Ulsi Manja.
14 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)