Prurje e re nga prof.Pajaziti: Lavjerrësi i fillimshekullit

Prurje e re nga prof.Pajaziti: Lavjerrësi i fillimshekullit

Libri Lavjerrësi i fillimshekullit: Teorizime sociologjike përbëhet nga shkrimet javore të prof. Dr. Ali Pajazitit, sociologut të dalluar shkupjan nga UEJL, që nga një perspektivë e veçantë trajton tema interesante dhe shumë aktuale të filleve të shekullit XXI si: feja dhe lidershpi, kolonizimi intern, despotizmi, Lindja e Mesme, identiteti i arnuar, civilizacionizmi, kultura dhe politika, terrorializmi, medikalizimi i shoqërisë, ruralizimi si trend i ri, guximi intelektual, Covid-19 dhe e shenjta, sociologji klasike: Mukaddime, “kapitalizmi i karkalecëve”, “civilizimii frikës”, Europa e re dhe fundamentalizmi, arti dhe politika, “kultura e rrezikut”, bota pas pandemisë, fëmijët e tabletit, e-religjioni e të tjera.

Rëndësia e kësaj vepre të Prof. Pajazitit, një praktikues ky par exellence i sociologjisë, qëndron në faktin se “në mënyrë të disiplinuar” (disciplined way) prek shumë çështje dhe problematika për të cilat lexuesi jonë ka nevojë të informohet nga një dritare e investigimeve sociale të bazuara në rrokjen e “aha momentit” kur radikalisht kontestohet gjithçka (Berger, 1963). Kësaj vepre vlera i rritet edhe për faktin që në vendin tonë, por edhe më gjerë në botën shqiptare, sociologjia deri tani nuk e ka pasur as statusin e as funksionin e merituar. Ajo një herë ka qenë e ndaluar (komunizmi), pastaj e pasistemuar(tranzicioni i pafund), e shoqëruar me inkoherencë teorike (Shils, 1949) dhe raritet hulumtimesh empirike, sferë kjo ku autori ka dhënë një kontribut të çmuar (me hulumtimet kuantitative mbi religjiozitetin, identitetin, cilësinë e jetesës, relacionin rinia universitare-vlerat-politika, grafitti sub-kulturën, korrupsionin në arsim etj).