Sot në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, mes tjerash pritet edhe shqyrtimi i 5 ankesave për votimet në Çashkë, që janë parashtruar nga VMRO-DPMNE dhe LSDM, respektivisht dy në Jabollçishtë të Epërme dhe një në Jabollçishtë të Poshtme; një ankesë në fshatin Mellnicë.
Ankesat në procesion e votimit janë për pajisjen biometrike, edhe pse secili votues ka qenë në listë e printuar të votimit.
Ndërkaq banorët e Çashkës kanë paraljmëruar protestë para KSHZ-së, siç thonë, kërkojnë që mos të manipulohet me vullnetin e qytetarëve.
Kandidati i AKI-së Suat Shaqiri, i cili ka fituar garën që në rrethin e parë, ka shumë dyshime që këto ankesa janë bërë në baza etnike. Shaqiri tha për TV21 se gjatë procesit të votimit nuk ka pasur asnjë ankesë nga anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore e as nga vëzhguesit e OSBE-ODHR. Shtoi se qytetarët kanë votuar 6 këshilltarë shqiptarë nga 11 sosh.
“Sigurisht që po pasi doli e vërteta në sipërfaqe, për çudi në të gjitha vendbanimet tjera ku gravitojnë maqedonasit qenkan të pa kontestuar, qenkan gjithçka në rregull dhe vetëm vendbanimet shqiptare u paskan manipuluar zgjedhjet! Kjo është një gënjeshtër e kulluar, një rreng institucional, prandaj i bëj thirrje organeve kompetente, institucionet më të larta dhe përfaqësuesit politik, te anëtarët e KSHZ që kjo punë të trajtohet profesionalisht dhe pa anime si rast i veçantë i vëzhgimit të situatës”, tha Shaqiri.