Mblidhen për të protestuar kundër marrëveshjes për emrin, por thonë se nuk kanë asnjë organizatorë.
Shoqata, e parti politike marrin pjesë, por organizimin nuk e marrin përsipër, thonë se mblidhen nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Gazetari: Këto protesta kush po i organizon?
-Këto janë protesta spontane.
Këtu jemi më shumë shoqata, parti politike dhe secili me anëtarësimin e vetë.
Gazetari:Nuk keni ndonjë organizator?
-Jo jo.”
Nga MPB thonë se qytetarët nuk janë të detyruar të paralajmërojnë se do të protestojnë,
“Qytetarët nuk kanë detyrim ligjor për të paraqitur mbajtjen e protestë në stacionin policor.
Protesta e mbrëmshme dhe protesta e sotme nuk janë lajmëruar”, thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Eksperti i sigurisë Bllagoja Markovski thotë se këto janë grupe të caktuara të cilat mund të jenë sponsorizuara nga shtete tjera të cilat nuk pajtohen me politikat aktuale në Maqedoni.
“Mund të ketë edhe blerje nga shtetet tjera që nuk pajtohen me politikën zyrtare, aktuale që po udhëhiqet në vend. Megjithatë sipas analizës sime edhe protesta edhe organizimi dhe esencën e protestave, bëhet fjalë për grupe dhe persona të caktuar nga vendi, parasëgjithash siç thuhet grupe tifozësh dhe grupe tjera të vogla të cilat pakënaqësinë e tyre e shprehin në këtë mënyrë”, tha Bllagoja Markovski.
Ndërkaq Zehidin Tushi, gjithashtu ekspert sigurie, tha se protestuesit nuk kanë ndonjë sqarim politik, por vetëm shprehin pakënaqësinë e tyre.
“Këto protesta që janë të organizuara, mos të them spontane. Bëhet fjalë për një sjellje jo të kuptueshme jo reale dhe jo objektive. Protestat që po bëhen në rrugët e Shkupit do të kisha thënë se nuk përbëjnë asnjë lloj rreziku, tregojnë ngarkesën e vetë, se nuk kanë një sqarim politik”, u shpreh Zehidin Tushi, ekspert i Sigurisë.
Dy ekspertët thonë se gjatë ditëve në vazhdim do të zvogëlohet numri pjesëmarrja të protestuesve.
Përgatiti Afrim Jonuzi