Një grup qytetarësh sot para Kuvendit kanë protestuar kundër ligjit për përdorimin e gjuhëve. Organizatorët e kësaj proteste kanë thënë se nuk do të lejojnë që të sillet dygjuhësia, duke thënë se kjo dëmton shtetin. Organizatorët po ashtu, janë shprehur edhe kundër ndryshimit të emrit të Maqedonisë dhe kanë akuzuar anëtarët e Kuvendit dhe të Qeverisë se duan ta shesin shtetin.
Lubisha Nasovski, Forcat e bashkuara maqedonase
“Vendi dhe fëmijët tanë nuk janë për shitje. Gjuha jonë është gjuha maqedonase dhe ajo është kodi për njohje mes nesh por, edhe për të gjithë ata që jetojnë këtu dhe nuk janë maqedonas. Nuk do të lejojmë asnjë referendum për emrin ai është akt anti natyral për të cilin mund të ëndërrojnë vetëm mashtruesit dhe tradhtarët. E hedhim poshtë Platformën e Tiranës si të dëmshme, në të cilën lindi edhe dygjuhësia”.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve maqedonas që t’u bashkëngjiten në protestë dhe të mos lejojnë dygjuhësinë.
Organizator
“Është koha e fundit që maqedonasit të organizohen masovikisht dhe gjatë ditëve dhe javëve në vijim të dalin në rrugë. A do të lejojmë që të fshihemi!? A do të lejojmë të na bëjnë gjenocid!? Çfarë duhet të bëjmë!? Duhet të luftojmë. E duam rrugën e drejtësisë, bashkim vëllazërim dhe unifikim i gjithçkaje që është maqedonase, do të ecim drejt rrugës së drejtësisë” .
Po ashtu, është nënshkruar edhe një peticion kundër ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe ndryshimit të emrit. Protesta u organizuar nga ‘Tvrdokorni’ dhe Forcat e bashkuara të Maqedonisë.
https://www.youtube.com/watch?v=3VFMZug6A_8

