Pasi tragjedia e fundit në Koçan mori jetë të pafajshme, qytetarët e Shkupit u ngritën në protestë për të kërkuar drejtësi dhe për të shprehur pakënaqësinë ndaj korrupsionit që ka shkaktuar katër ngjarje tragjike në vend: Koçani, spitali modular, Besa Trans dhe Durmo Tursi. Protestuesit e vendosur kërkojnë fundin e korrupsionit, duke thënë: “Derisa ata të mbushin xhepat, ne do t’i mbushim rrugët.”
“Protestojmë sepse duam të jetojmë këtu, protestojmë që të mos ketë më viktima dhe të jemi të sigurt. Presim që ata që janë përgjegjës për tragjedinë në Koçan dhe të tjerat të japin llogari. Ne kërkojmë transparencë nga organet hetuese,” theksuan përfaqësuesit e Nismës “Kush është i radhës”.
Protesta nisi me një mbledhje në sheshin “Maqedonia”, ku qytetarët mbajtën një minutë heshtje për të nderuar viktimat, vendosën lule dhe ndezën drita. Më pas, protestuesit u nisën në marshim drejt Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku brohorisnin: “Mjaft ishim ne, sistemi është i radhës”, “Protestë e popullit”, “Transparencë”.
Më vonë, ata arritën para Qeverisë, ku vazhduan të shprehin kërkesat e tyre përmes pankartave dhe brohoritjeve. Protestuesit e nderuan për një moment viktimat me 16 minuta heshtje.