Një ditë pas vrasjes së infermierit 37-vjeçar Alex Jeffrey Pretti nga agjentë federalë të imigracionit gjatë një operacioni në Minneapolis, protestat kundër prezencës së forcave federale në qytet janë intensifikuar, me qindra banorë dhe aktivistë që kanë dalë përsëri në rrugë për të kërkuar largimin e agjentëve të ICE-s.
Pretti, një infermier në repartin e kujdesit intensiv dhe banor i Minesotës, u qëllua për vdekje më 24 janar gjatë përleshjes mes protestuesve dhe agjentëve të Patrullës Kufitare dhe Imigracionit. Autoritetet federale pretendojnë se ai u afrua me armë dhe paraqiti kërcënim, por pamjet e publikuara tregojnë se ai kishte vetëm një telefon në dorë dhe po përpiqej të ndihmonte një grua kur u rrah, u rrëzua në tokë dhe u qëllua.
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, ka kërkuar me ngulm që administrata federale të tërheqë agjentët e imigracionit nga shteti, duke e quajtur këtë një “pikë kthese” dhe shprehje të konfliktit mes autoriteteve lokale dhe federale. Ndërkohë, Presidenti Donald Trump ka sinjalizuar mundësinë e tërheqjes së agjentëve “në një moment të caktuar”, por gjithashtu ka urdhëruar bashkëpunimin mes zyrtarëve lokalë dhe federalë për arrestimin dhe dërgimin në burgje të personave të huaj të paligjshëm që kryejnë vepra penale.
Reagimet ndaj mënyrës së trajtimit të protestave dhe përdorimit të forcës nga agjentët federalë janë përhapur edhe jashtë Minesotës, me mbledhje solidariteti në qytete të tjera amerikane si New York, Boston dhe Los Angeles, ku protestuesit kërkojnë llogaridhënie dhe reformë të politikave të imigracionit.
Disa politikanë, përfshirë senatorë republikanë, janë shprehur gjithashtu kritikë ndaj mënyrës se si u përdor dhuna, ndërsa zyrtarë lokalë akuzen autoritetet federale se pengojnë hetimet për ngjarjen, duke thelluar ndarjet politike mbi rolin e ICE-s dhe përdorimin e forcës në komunitete lokale.
Ngjarja ka ndezur debat intensiv kombëtar mbi përdorimin e forcës nga agjentët e imigracionit dhe të drejtën e protestës, si dhe ka shkaktuar thirrje për hetime të pavarura dhe transparentë mbi rrethanat e vrasjes së Prettit.
/rtsh.al/


