Kryetari i PD, Sali Berisha, ftoi qytetarët t’i bashkohen protestës së opozitës në datën 3 mars.
Edhe pse 3 marsi është dita kur gjykata e apelit do të vendosë për fatin e logos dhe vulës së PD, Berisha gjatë mbledhjes së grupit deklaroi se opozita do të protestojë kundër kryeministrit Rama.
SALI BERISHA
KRYETAR I PD
“Theksoj se protesta ka vetëm një objektiv: Edi Ramën, Edi Ramën, Edi Ramën. Nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me institucionet e tjera.”
Berisha u shfaq i bindur se në 3 mars, gjykata do të vendosë në favor të kuvendit të 11 dhjetorit.
“Për çfarë është gjykimi? Gjykimi është për të pranuar palë Alibashën. Nuk ka gjykatë, pse e bëri Blerina Muçi nën ndikimin nën ndikimin absolut të Edi Ramës dhe Yuri Kim, të tjerë nuk mund ta bëjnë një akt të tillë sepse kuptojnë që përmbyset sistemi i drejtësisë nëse shpall palë atë që nuk ka qenë palë në një vendim, t’i hapë rrugën e rrëzimit të çdo vendimi gjyqësor me urdhra politikë.”
Kryetar i PD Berisha, ftoi qytetarët t’i bashkohen edhe protestës nesër para parlamentit. Edhe pse vetë Berisha së bashku me 11 deputetë të PD janë përjashtuar nga parlamenti, kreu i PD paralajmëroi debate të forta në seancë.
“RamGonigali nuk duhet të hyjë në parlament. Edhe po hyri, duhet të mbetet nën presionin e tmerrshëm të revolucionit aty ku është, dhe brenda parlamentit.”
Berisha është i pari politikan që përshëndet vendimin e Italisë për t’i dhënë statusin e azilantit politik ish-prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë nuk them se Adriatik Llalla ishte një prokuror i fortë apo, pa të meta, por shqiptarët duhet ta dinë se Adriatik Llalla u sanksionua sepse guxoi të denoncojë kompanitë e George Sorosit dhe Rex Tillersonit.Kjo është e vërteta.”
Pak ditë më parë Adriatik Llalla, i dënuar me dy vite burg për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë, fitoi azil politik ne Itali, duke i shpëtuar kështu vuajtjes së dënimit në Shqipëri.