Një grup aktivistësh, studentë dhe nxënës protestuan para ambasadës franceze në Shkup kundër arrestimit të ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.
Studentët që dolën në mbështetje të Ramush Haradinajt, duke e lartësuar figurën e tij, thanë se ai ka luftuar për mbrojtjen e popullit të tij dhe nuk ka bërë asnjë krim lufte, por janë ushtarët serb dhe shteti i Serbisë i cili duhet gjykuar dhe kërkuar falje për krimet e luftës.
Protestuesit dorëzuan kërkesë zyrtare deri tek ambasada për ta liruar Ramush Haradinajn duke e paralajmëruar se raportet shqiptaro franceze mund të prishen nëse padrejtësisht burgoset një hero kombëtar, vetëm për kapriçot serbe.
Ramush Haradinaj u arrestua pardje në Francë pas një fletarresti të lëshuar në vitin 2004, dhe tani po mbahet në paraburgim derisa të shqyrtohet kërkesa e Serbisë për ekstradimin e tij në shtetin fqinj të Kosovës. Shteti Serb ka lëshuar ka lëshuar fletarrestin me arsyetimin se posedon prova për krime lufta për të cilat Haradinaj nuk është gjykuar në Hagë. Haradinaj është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
Përveç në Maqedoni, në mbështetje të Ramush Haradinajt, protestë pati edhe në Kosovë.