-Punëtorët dhe përfaqësuesit e sindikatave kanë të drejtë të shprehin shqetësimet e tyre, ndërsa menaxhmenti i DAP-it dhe Doganës të bisedojnë me ta dhe ministrin e Financave, për të gjetur një zgjidhje afatgjate, e cila do të japë rezultat, që do të jetë në interes të të dyja palëve, deklaroi sot kryeministri Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me grevën e punonjësve të DAP-it dhe Doganës.
Ai përmendi se bëhet fjalë për punonjës të institucioneve që janë organe në kuadër të Ministrisë së Financave. Siç tha, Qeveria nuk ka diskutuar për kërkesat e Sindikatës, por është legjitime që Sindikata të ketë kërkesa.
“Janë bisedime që duhet t’i zhvillojnë përfaqësuesit e Sindikatës së bashku me ministrin e Financave dhe DAP-in dhe Doganën, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Ajo që po bën Qeveria është miratimi i një marrëveshjeje të re të përgjithshme kolektive për të gjithë të punësuarit, në mënyrë që të mundësohet rregullimi korrekt i pagave sipas një metodologjie, që do të miratohet nga Qeveria dhe sindikatat. Tashmë janë tre modele që po testohen dhe po bëhen simulime se çfarë ndikimi do të kenë në buxhet. I dyti është Ligji për paga, në të cilin duhet të rregullohet shuma e pagave në të gjitha nivelet”, tha Kovaçevski pas inspektimit të sanimit të sistemit të ujitjes “Makaria” afër Rosomanit.
Ai shpreson se do të gjendet zgjidhje, sepse, siç tha, zgjidhja gjithmonë është gjetur përmes dialogut mes sindikatave dhe punëdhënësve.
Sipas Kovaçevskit, ministri Besimi menaxhon me përgjegjësi buxhetin, në përputhje me parimet e menaxhimit të mirë, për të mundësuar rritjen e pagave të atyre që ishin më të prekur nga kriza.
“Mendoj se edhe për këtë do të gjendet një zgjidhje. Do të inkurajoja, si drejtorin e Doganës, ashtu edhe të DAP-it që të gjejnë një model për kontroll të gjendjes pronësore të punonjësve të tyre dhe të prezantojnë një sistem të performancës që sa kontribuon në punë”, shtoi Kovaçevski.