Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Hazir Pollozhani dhe përgjegjësi i Zyrës për përpilimin dhe menaxhimin e projekteve, Doc. Dr. Shefik Shehu qëndruan për vizitë pune në Universitetin ,,Mehmet Akif Ersoj”, në Burdur të Republikës së Turqisë, me ftesë të Rektorit të këtij universiteti, Prof. Dr. Adem Korkmaz.
Ky takim kishte për qëllim ndërlidhjen e aktiviteteve hulumtuese dhe arsimore të disa universiteteve nga Ballkani, si dhe bashkëpunimin në fushën e shkëmbimit të stafit akademik dhe studentëve, ku merrnin pjesë edhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynir Koni, Rektori i Universitetit ,,Aleksandër Xhuvani” nga Elbasani, Prof. Dr. Skender Topi, Rektori i Universitetit ,,Luigj Gurakuqi” nga Shkodra, Prof. Dr. Adem Bekteshi, Rektori i Universitetit të Tuzllës, Prof. Dr. Nermina Hadžigrahić, si dhe Rektori i Universitetit Ndërkombëtar të Sarajevës, Prof. Dr. ErkanTüre.
Rektori i Universitetit ,,Mehmet Akif Ersoj”, Prof. Dr. Adem Korkmaz, në këtë takim kryesisht u fokusua në vizionin e universitetit që përfaqëson, për lidhje më të konsoliduara me universitetet simotra nga Ballkani.
Ndërsa, Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Hazir Pollozhani vuri në dukje përkushtimin e universitetit tonë në fushën e ndërkombëtarizimit, si një shtyllë e rëndësishme e rolit që UT ka në misionin e vet të edukimit të brezave të rinj. Po ashtu, e vlerësoi lartë bashkëpunimin me universitetet partnere nga Republika e Turqisë, që realizojnë shkëmbim të stafit dhe studentëve përmes programit Erasmus + si dhe atij turk, Mevlana.
Në këtë takim, Prof. Dr. Hazir Pollozhani dhe Prof. Dr. Adem Korkmaz biseduan edhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Universitetit të Tetovës dhe Universitetit ,,Mehmet Akif Ersoj” nga Republika e Turqisë. Vlen të përmendet se, me këtë rast drejtuesit e Universitetit ,,Mehmet Akif Ersoj” kishin përgatitur edhe një program të pasur kulturor, mes tyre edhe një vizitë në lokalitetin e qytetit të lashtë Sagalassos.