Prokuroria Republikane sipas burimeve të televizionit Alsat-M në seancës e radhës që pritet të mbahet të martën mund të vendos për rikualifikimin e lëndës në rastin e Almir Aliut, nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”. Një zhvillim i tillë i mundshëm sipas burimeve tona vjen pas përplasjeve të ashpra mes prokurorëve si në Prokurorinë e Lartë ashtu edhe në Prokurorinë Republikane, ku është diskutuar për këtë rast. Prokurorët në të dy këto institucione të organit të akuzës janë ndarë në baza etnike, duke shprehur konfrontimet e tyre të ashpra, njëra palë – ajo shqiptare, që për rastin të mbetet kualifikimi si vepër penale “vrasje”, ndërsa pala tjetër e prokurorëve maqedonas që kërkon rikualifikimin e rastit si “aksident me pasojë vdekjen”. Por, në situatën e mospajtimeve të thella, prokurorët shqiptarë sipas burimeve tona, janë mbivotuar nga prokurorët maqedonas. Nga 10 prokurorë, 4 kanë votuar “kundër” ndërsa 6 të tjerë, përfshi edhe kryeprokurorin, kanë insistuar që në seancën e radhës vepra të rikualifikohet në formën e prerë dhe në gjykim të shkoj si “aksident me pasojë vdekjen e katër vjeçarit Almir Aliu” më 25 qershor të vitit 2016 nga Boban Iliq. Mospajtime dhe shtyrje të seancave ka pasur edhe para vitit të ri, ndërsa marrja e vendimit herën e fundit ishte shtyrë deri në zgjedhjet e Prokurorit të ri republikan Lubomir Jovevski, për t’i lënë hapësirë edhe atij në shqyrtimin e rastit. Por, në takimin me prokurorin e ri, siç bëhet e ditur për Alsat, edhe Jovevski ka mbajtur anën e grupit që kërkon rikualifikimin e rastit.
Kërkesa që prokuroria e lartë dhe ajo republikane të shqyrtonin këtë rast, kishte ardhur pasi prokurori i lëndës, i cili e kishte cilësuar fillimisht si vrasje veprën, në mbledhjen e Këshillit Penal në Kumanovë, pas provave të paraqitura, e kishte ndryshuar aktakuzën fillestare nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”. Lidhur me këtë ndryshim, një nga prokurorët e Prokurorisë Republikane, me anë të një shkrese, ka ftuar prokurorin e rastit që të jepte sqarime para Prokurorisë së Lartë mbi shkaqet që e kishin çuar prokurorin e lëndës në Kumanovë të bënte rikualifikim të veprës. Nga provat e prezantuara, prokurorët shqiptarë janë tronditur, pasi sipas tyre ato kanë qenë të pabaza, madje, manifestonin edhe qëllim të qartë për ndryshim të aktakuzës me çdo kusht.
Prokurorët shqiptarë, siç bëhet e ditur, kanë prezantuar kundradëshmitë tyre përfshi edhe videon nga ku shihet qartë se si Boban Iliq ka shtypur për vdekje me veturën e tij 4-vjeçarin Almir Aliu. Por pavarësisht dëshmive, ata janë mbivotuar si në Prokurorinë e Lartë ashtu edhe në atë Republikane. Sipas prokurorëve shqiptarë, në rast se lejohet një rikualifikim i veprës, kjo do të ishte një vrasje e dytë për prindërit e katërvjeçarit por edhe një mesazh i keq për gjithë opinionin se gjyqësia në vend ende nuk është vendosur.
Alsat-M mëson se pala e akuzës, përmes rikualifikimit të veprës si “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”, tenton të shfrytëzojë nenin 300, paragrafin 2, i lidhur me nenin 297 të Kodit Penal, i cili si dënim parashikon të paktën 4 vjet burg. Por, pala e dëmtuar mbetet në qëndrimin se autori i veprës duhet të dënohet për “vrasje me paramendim”, bazuar në nenin 123, paragrafi 2, pika 3 e cila si minimum parashikon dënim nga 10 vjet e sipër.
Ngjarja tragjike pati ndodhur pas një zënke banale para urgjencës së qytetit me familjarëve të viktimës dhe autorit, i cili sipas dëshmitarëve, duke u larguar me veturën e tij, e ka goditur qëllimisht për vdekje katërvjeçarin, Almir Aliu./ ALSAT-M.
https://youtu.be/u1r_g7ZWVvs