Prokuroria Speciale ka edhe vetëm tre muaj për të shpalosur raste të reja të krimit dhe korrupsionit, pasi mandati i saj për ngritjen e aktakuzave skadon në qershor. Në rast se Kuvendi nuk konstituohet së shpejti dhe Speciales nuk i vazhdohet mandati për ngritjen e aktakuzave, shumë raste të ndjeshme si “Monstra”, Sopoti”, “Brodeci”, “Lagja e Trimave” dhe disa procese të tjera do të ngelin pa u zbardhur. Nga Prokuroria Speciale thonë se nuk i janë drejtuar asnjë institucioni që zyrtarisht të kërkojnë zgjatjen e mandatit për ngritjen e akuzave, por besojnë se apelet e vazhdueshme publike janë kërkesa të mjaftueshmeqë duhet marrë në konsideratë si kërkesë serioze e një institucioni që ka ende shumë punë për të luftuar krimin dhe korrupsionin.
“Na kanë ngelur edhe 3 vjet e gjysmë nga mandati jonë, duke marrë parasysh se Ligji për Prokurori Speciale parasheh mandat prej 5 vjetësh, me mundësi për tu vazhduar. Ne deri më tani në mënyrë formale nuk i jemi drejtuar asnjë institucioni, por disa herë kemi lëshuar apele publike për nevojën e patjetërsueshme të vazhdimit të mandatit për ngritjen e akuzave, duke marrë parasysh se ai afat nuk është vendosur në mënyrë objektive”, thonë nga Prokuroria Speciale.
Në pyetjet e Televizioni Shenja se po u kërcënohet siguria dëshmitarëve të mbrojtur të cilët i kanë kontaktuar së fundmi, nga Specialja nuk deshën të përgjigjen me arsyetimin se në interes të hetimit duhet mbajtur sekret. Pyetëm Prokurorinë Speciale edhe nëse kanë nisur ndonjë hetim për “Monstrën”, “Sopotin”, “Brodecin” ose “Lagjen e Trimave” por përgjigja ishte e njëjtë edhe për këtë pyetje.
PSP shpreson se deputetët e përbërjes së re do ta kenë prioritet zgjatjen e mandatit të këtij institucioni pasi ka ende shumë punë për tu bërë.
PSP deri më tani ka hapur 12 lëndë dhe ka ngritur 2 propozim aktakuza, por asnjëhera nuk arriti deri në shqyrtim kryesor për shkak të pengesave të ndryshme brenda sistemit gjyqësor por edhe të institucioneve ose organizatave të cilat PSP i ka hetuar. Janë hapur kryesisht lëndë të krimit financiar por as edhe një fjalë për rastet e ndjeshme për shqiptarët. Në raportin e fundit Specialja njoftoi se ka marrë kompetencat për 386 lëndë që janë zhvilluar në prokuroritë e rregullta, por deri më tani asnjë indikacion për marrjen e kompetencave të rasteve të shqiptarëve.
Në raportin e fundit të Prokurorisë Speciale u njoftuar se prokurorët kanë arritur të kthejnë incizimet e shkatërruara telefonike që i ka incizuar DSK-ja ilegalisht, edhe atë 66.909 audio- incizime që do të thotë edhe punë shtesë për ti kontrolluar dhe hetuar krimin dhe korrupsionin eventual që buron prej tyre. Deri tani janë shqyrtuar 45% të materialeve ndërsa ngelin edhe 55% të audio incizimeve për tu kontrolluar. Sipas Ligjit për Prokurori Speciale, PSP ka mandat prej 18 muajsh të cilin deputetët e përbërjes së kaluar hezituan ti’a vazhojnë./Shenja