Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi është paraqitur në Prokurorinë Speciale pasditën e së mërkurës.
Prokuroria Speciale e ka konfirmuar tanimë se U.D Kryeprokurori- Besim Kelmendi, po intervistohet nga Prokuroria Speciale për masakrën e Reçakut.
Gjatë ditës është raportuar se intervistimi i Kelmendit lidhet me atë se prokurori kishte qenë bashkëpunëtor profesionale në Gjykatën e Qarkut, e cila kishte hetuar masakrën e Reçakut.
Intervistimi i tij u konfirmua për lajmi.net nga zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale mund t’ju konfirmojë se Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Besim Kelmendi, është ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit, në kuadër të procesit hetimor lidhur me rastin për të cilin keni parashtruar pyetje.Prokuroria Speciale shpreh vlerësimin për gatishmërinë dhe kontributin që z.Kelmendi ka dhënë lidhur me zbardhjen e një cështjeje penale, që Prokuroria Speciale e ka në trajtim”, ka thënë Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.
Nga viti 2022, me dekret të presidentes Vjosa Osmani, ai u emërua u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit është ftuar për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale të mërkurën për rastin e masakrës së Reçakut, si person me njohuri për krimin e tmerrshëm ndaj 45 civilëve shqiptarë.
Kelmendi, në kohën kur kishte ndodhur ngjarja, në janar të vitit 1999, punonte si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe ishte i përfshirë në trajtimin e këtij rasti nga kjo gjykatë e dirigjuar prej regjimit të Millosheviqit.
Paparaci raportoi sot se gjyqtare hetuese e rastit të Reçakut ka qenë Danica Marinkoviq, gjyqtarja famëkeqe serbe e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.
Marinkoviq, si pjesë e regjimit shtypës të Millosheviqit, e kishte mbyllur rastin me arsyetimin se ngjarja e Reçakut nuk përbënte një krim dhe se ajo ishte “një ngjarje e trilluar”.
Ajo pretendonte se Reçaku “ishte bastion i madh i bandës terroriste UÇK”.
Pikërisht kjo masakër konsiderohet si arsyeja kyçe e bombardimit të Serbisë nga NATO-ja. Vërtetësinë e masakrës e dokumentoi ambasadori i OSBE-së, William Walker, i cili shkoi në Reçak më 16 janar të vitit 1999, një ditë pas masakrimit të 45 civilëve të pafajshëm shqiptarë./Lajmi.net/


