14 March
Prokuroria Speciale është në momentet finale të përmbylljes së raportit të dytë gjashtë mujor të veprimtarisë së saj. Raporti pritet të shpalosë aktivitetin e këtij institucioni në 6 muajt e fundit, procedurat hetimore e para-hetimore të ngritura ndaj personave fizikë e juridikë, për shpërdorime të ndryshme. Një pikë e rëndësishme, siç mëson ALSAT është edhe sqarimi zyrtar i PSP-së se deri ku ka mbërritur me përpunimin dhe analizimin e materialeve të përgjuara, ndërkohë që sikurse dihet, afati për ngritjen e akuzave deri në fund të qershorit, pavarësisht se aktiviteti ligjor i këtij institucioni për ndjekjen e proceseve është 5 vjet. Një pjesë e rëndësishme e raportit do të jetë edhe justifikimi i zërave financiarë që rrjedhin nga buxheti i ndarë këtij institucioni, e ku përfshihen materialet punuese, kuadrovike e logjistike. Siç mëson ALSAT, raporti duhet të dorëzohet nesër më 15 mars, sipas afatit të caktuar me ligj, ndërkohë që ai do të prezantohet së pari në Këshillin e Prokurorëve, e pastaj do të shqyrtohet edhe në Kuvend. Por, për mbrojtjen e raportit në Kuvend duket se nuk do të jetë e mundur, për shkak se Kuvendi është jofunksional, madje as trupat kuvendor nuk janë të themeluar. Sipas një konstatimi të shkurtër, ALSAT vëren se lëndët e reja të ngritura nga PSP-ja janë “Tanku” për makinën luksoze të kryeministrit dhe “Tarifa” për tenderët lidhur me softuerin e ELEM-it. Më shumë bujë kanë bërë futja e PSP-së në DSK si dhe ndalimi i një hetuesi të saj që ndiqte ish shefin e shërbimit Sasho Mijallkov.
Bujë bëri edhe zgjerimi i hetimit deri në 17 emra i hetimit të mëhershëm “Titanik” për manipulime zgjedhore, përfshi emrat e ish kryeministrit Gruevski, Ilija Dimovskit dhe Martin Protugjerit. Në qendër është edhe lënda e re “Trust” kundër Sead Koçanit për 17 milion euro të përfituara pa dokumentacion real tenderësh. Po ashtu, një pjesë të caktuar do t’i kushtohet edhe tërheqjes së PSP-së nga rasti i Puçit. Në këto 6 muaj do të theksohen edhe pengesat që i janë bërë PSP-së, veçanërisht për marrjen e rastit të “Sopotit”. Në këto 6 muaj, PSP-ja është përpjekur të sigurojë materiale edhe për rastin tjetër “Monstra”. Sipas të dhënave që ka siguruar ALSAT, 12 janë lëndët e reja të ngritura gjithsej në këtë 6 mujor nga ana e PSP-së.
Kujtojmë se në raportin e fundit 6 mujor, PSP-ja raportoi për procedura hetimore ndaj 80 personave, si dhe, se deri në fillim të shtatorit ishin dëgjuar vetëm 12% e bisedave të përgjuara.
Por, paraqitja e këtij raporti kaloi me plot akuza nga VMRO DPMNE-ja e cila e akuzonte se PSP-ja punon me direktiva të LSDM-së. Gjithsesi, debatet do të mbahen mend për batutat e prokurores speciale Janeva ndaj Milloshovskit, si dhe braktisjen e seancës kuvendore në shenjë revolte ndaj mobingut sikurse tha ajo, nga deputetët e partisë në pushtet.
Nuk frikësohem t’i përgjigjem asnjë pyetjeje, sepse kam mbështetjen e kryeministrit Nikolla Gruevski – tha Katica Janeva, Prokurore Speciale.
E dëgjova me kujdes z. Milloshovski, sepse e dëgjoj edhe në bisedat e siguruara në mënyrë të paligjshme, dhe e di shumë mirë kapacitetin e tij personal, ndërsa për kapacitetin tim personal shefi im është prokurori Marko Zvërlevski, dhe le të flasë ai! – u shpreh Katica Janeva, Prokurore Speciale.
Ju informoj se kjo është hera e fundit që vij këtu. Ta dini këtë! E fundit! Përveç se në seancën plenare, dhe tani po shkoj! – deklaroi Katica Janeva, Prokurore Speciale.
Prokuroria Publike u deklarua kompetente për 34 lëndë fillimisht, dhe pavarësisht se në qendër ishin shpërdorimet që kishin bërë zyrtarët e lartë shtetërorë, shihet se në këtë 6 mujor janë përfshirë edhe rastet që popullata shqiptare i dyshon si raste të montuara politikisht.
Adrian Kerimi