Debat i ashpër në Prokurorinë e Lartë dhe atë Republikane e cila sot thirri për konsultim prokuroren e lëndës Suzana Kusigerska dhe kreun e prokurorisë së Kumanovës Goran Peshevski, lidhur me rastin “Almiri”. Sipas burimeve të ALSAT, nuk ka vendim për rikualifikimin apo mbetjen e akuzës së njëjtë, të kërkuar nga prokurorët e Kumanovës. Debati në kolegjin e mbajtur fillimisht mes anëtarëve të Prokurorisë së Lartë dhe pas mbivotimit, edhe në atë Republikane, është zhvilluar me akuza të ndërsjella, për ngjyrim etnik të rastit nga pala e akuzës. Prokuroria e Kumanovës kërkon që vrasësi i 4 vjecarit Almir Aliu të kalojë si “aksident rrugor me pasojë vdekjen”, ndërkohë që pala e mbrojtjes e kundërshton këtë, duke kërkuar “vrasje me paramendim”. Debati i sotëm u anulua për shkak të debateve të ashpra, dhe është shtyrë për javën e ardhshme. Kjo shtyrje e debatit në Prokurinë e Lartë dhe Republikane, si duket do të shtyjë edhe seancën e parashikuar më 29 nëntor, ku pritej të jepej vërdikti gjyqësor në Kumanovë. Debati i thirrur sot u inicua pas një ankese e parashtruar nga avokatët mbrojtës të rastit të Almirit. Ankesa përmban vërejtje dhe dyshimet për mosmarrjen parasysh të veprës penale të vëllait të autorit të ngjarjes Bojan Iliq, i cili nga pamjet filmike shihet se si del nga makina me të cilën është kryer vepra, dhe godet me mjet të fortë cilindo që i del përpara. Momenti i dytë është dorëzimi selektiv i dokumenteve në lëndë para urdhëresave të ekspertizës ligjore nga ana e prokurorit publik. Momenti tjetër është mos-pranimi nga ana e gjykatës i dëshmive që caktojnë nëse i padituri ka pasur mundësi ta shmangte apo jo veprën penale për të cilën akuzohet. Nga ana tjetër, prokurori i lëndës ka pranuar një dëshmi, e cila nuk është përmendur në asnjë rrethanë gjatë seancave. Po ashtu dëshmitarët okularë nuk janë marrë fare parasysh nga ana e gjykatës.
Nuk mund ta paramendoj se dikush mendon për rikualifikim të një vepër të këtillë. Vepra penale është shumë serioze. Për këtë ka dëshmi materiale si video xhirimi ku qartë shihet qëllimi i tij, mënyra e lëvizjes dhe vrasja e Almir Aliut, por edhe tentimi për vrasjen e nënës dhe babait të fëmijës. S’di me çfarë vepre penale tjetër mund të kualifikohet kjo vepër që ka të bëjë me vrasje -deklaroi Asmir Alispahiq, avokat mbrojtës.
Alsat mëson se pala e akuzës, përmes kualifikimit të veprës si aksident, tenton të shfrytëzojë nenin 300, paragrafin 2 të Kodit Penal, i lidhur me nenin 297, i cili si dënim parashikon të paktën 4 vjet burg. Por, pala mbrojtëse kërkon që vepra të kualifikohet si vrasje me paramendim, bazuar në nenin 123, paragrafi 2, pika 3 e cila si minimum parashikon dënim nga 10 vjet e sipër. Vrasja e vogëlushit Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në qytetin e Kumanovës, kur katërvjeçari pas një zënke banale u shtyp për vdekje nga Boban Iliqi.