Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka filluar procedurë kundër 55-vjeçarit të dyshuar për vepër penale – Dëmtim i pronës sipas nenit 243, paragrafi 2 i Kodit Penal. Më 11 janar, i dyshuari, siç thonë nga Prokuroria nga urrejtja, dëmtoi derën hyrëse të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë, duke thyer xhamin e derës me një gur dhe menjëherë u largua në drejtim të panjohur.
“Prokurori publik propozoi që gjyqtari i procedurës paraprake të caktojë masën e paraburgimit kundër të dyshuarit, sepse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik ikjeje dhe rrethana që justifikojnë frikën se i dyshuari do ta përsërisë veprën penale”, thonë nga Prokuroria.
Policia dje arrestoi Sh.A. (54) nga Shkupi, i cili më 11 janar ka dëmtuar xhamin e derës hyrëse të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup.
Për rastin, Ministria Bullgare e Punëve të Jashtme lëshoi reagim të ashpër dhe dënim të fortë. Sofja zyrtare e vlerësoi aktin si një sulm të papranueshëm ndaj një misioni diplomatik dhe shkelje të rëndë të Konventës së Vjenës, duke akuzuar drejtpërdrejt institucionet maqedonase për krijimin e një klime pandëshkueshmërie.


