Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka inicuar procedurë kundër një personi 18-vjeçar, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.
Procedura është inicuar kundër njërit prej personave të përfshirë në incidentin e djeshëm në Çair, ndërsa për të njëjtën ngjarje procedurë do të inicohet edhe kundër një të mituri, në përputhje me Ligjin për drejtësinë për fëmijë.
Siç informoi Prokuroria Publike këtë pasdite, nga provat e siguruara ekziston dyshim i bazuar se arsyeja e incidentit të armatosur me thikë ka qenë një grindje verbale në trafik, midis të dyshuarit dhe babait të tij nga njëra anë dhe të miturit nga ana tjetër.
“Grindja kaloi në një përleshje fizike, në të cilën babai dhe i biri sulmuan fëmijën e mitur duke përdorur forcë fizike, shqelma dhe grushte. Në atë moment, fëmija nxori një thikë dhe i shkaktoi plagë të shumta thike të dyshuarit dhe babait të tij. I dyshuari arriti t’ia merrte thikën fëmijës dhe e goditi në gjoks”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Publike.
Në përleshjen fizike, tre personat mbetën të lënduar, ku i mituri dhe babai janë hospitalizuar me lëndime të rënda.
“Më të lehta janë lëndimet tek tani i dyshuari 18-vjeçar, për të cilin prokurori publik tashmë ka kërkuar që të vendosen masa paraprake – ndalesë për largim nga vendbanimi, detyrim për t’u paraqitur herë pas here te një person zyrtar i caktuar në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, sekuestrim i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit për kalimin e kufirit shtetëror, përkatësisht ndalesë për lëshimin e tij dhe ndalesë për t’iu afruar ose për të vendosur, përkatësisht për të mbajtur kontakt me fëmijën e mitur që e ka lënduar, theksojnë në kumtesën e tyre.
Ndryshe, dje nga MPB-ja informuan se në kryqëzimin e rrugës “Cvetan Dimov” me rrugën “Xhon Kenedi” në Shkup, pas një keqkuptimi të mëparshëm, ka ndodhur një përleshje fizike midis një 14-vjeçari, R.S. (64) dhe B.S. (18), të gjithë nga Shkupi, në të cilën janë përdorur thika. Personat kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit” dhe në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” për ndihmë.