Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur procedurë penale ndaj një personi nga Shkupi për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 288, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Më 2 maj, në orët e mëngjesit, i dyshuari ka shkaktuar rrezik serioz për jetën e njerëzve duke i vënë zjarrin një shtëpie pushimi në fshatin Katllanovë dhe një apartamenti në Shkup, të cilat janë në pronësi të ish-bashkëshortes së tij. Sipas Prokurorisë, mes të dyve është duke u zhvilluar procedurë divorci.
Pavarësisht se ishte i vetëdijshëm për pasojat e mundshme, i dyshuari ka vepruar me paramendim. Një ditë para ngjarjes, ai kishte kërcënuar me telefon ish-bashkëshorten dhe djalin e tyre. Ditën kritike, ai derdhi benzinë dhe ndezi zjarrin pranë derës kryesore të shtëpisë së fundjavës, duke shkaktuar përhapjen e flakëve brenda objektit. Më pas, ai udhëtoi drejt Shkupit dhe në mënyrë të ngjashme ndezi zjarrin pranë derës së apartamentit.
Pas kryerjes së veprave, ai kontaktoi ish-bashkëshorten për ta informuar se u kishte vënë flakën të dy objekteve. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të fqinjëve, zjarri në apartament u shua dhe u parandalua përhapja e tij në banesat e tjera.
Duke marrë parasysh karakterin e rëndë të veprës, shkallën e lartë të përgjegjësisë penale dhe rrezikun real të arratisjes, prokurori publik ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.