Burgim i përjetshëm për të katër të akuzuarit, kërkoi prokuroria në fjalën përmbyllëse për rastin e vrasjeve makabre të 14-vjeçares Vanja Gjorgjevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski nga Velesi. Sipas prokurorisë, për asnjërin nga të akuzuarit – Ljupço Palevski, Bore Videvski, Vlatko Keshishov dhe Velibor Manev – nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese për veprat e kryera dhe të gjithë duhet të përballen me dënimin më të ashpër.
“Mund të supozojmë sa e madhe ka qenë vuajtja e fëmijës me katër të panjohur. Të cilët e marrin diku, pastaj i bëjnë pyetje dhe e vrasin. Vetë fakti që ajo është fëmijë 14-vjeçar është i mjaftueshëm për burgim të përjetshëm. Dënimi sipas Kodit Penal është nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm. Nuk ka rrethana lehtësuese për të akuzuarit. Të gjithë janë në moshë të pjekur, të gjithë janë prindër, dhe dëshironin të ishin edhe faktor politik”, deklaroi Ana Stojkovski Dimitrovska – Prokurore.
Për babanë e Vanjës, Aleksandër Gjorgjevski, prokuroria nuk saktësoi, por tha se kërkon që të dënohet në mënyrë të përshtatshme.
“Nuk pretendojmë se ka dashur që t’ia vrasin fëmijën, por ka marrë pjesë në rrëmbimin e vajzës së tij. Kërkojmë të dënohet në mënyrë të përshtatshme për këtë”, tha Ana Stojkovski Dimitrovska – Prokurore.
Nëna e Vanjës, si dhe vajzat e Zhezovskit, përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë, u pajtuan me fjalën përmbyllëse të prokurorisë dhe kërkuan dëmshpërblim për dhimbjen shpirtërore që kanë përjetuar. Seancat e ardhshme janë caktuar për më 18 dhe 20 qershor, kur do të fillojnë fjalët përmbyllëse të mbrojtjes. /Alsat.mk