Në lidhje me aksionin e djeshëm policor, Prokuroria Publike ka kërkuar shqiptimin e masës së paraburgimit për pesë persona dhe masën e paraburgimit shtëpiak për arrest shtëpiak për një person, njofton SHENJA.
Aksioni policor kishte për qëllim shkatërrimin e një grupi kriminal që merrej me tregtimin e lëndëve narkotike, ndërsa janë ngritur kallëzime penale kundër tetë personave nga Haraçina, Prilepi dhe Manastiri.
“Personat janë akuzuar për veprën penale ‘prodhim të paligjshëm dhe shitjen e lëndëve narkotike’, ndërsa njëri nga të dyshuarit është akuzuar edhe për veprën penale ‘pastrim të parave’”, qëndron në komunikatën e Prokurorisë Publike.
Në kumtesë theksohet se dy prej të dyshuarve nuk ishin të kapshëm për organet policore. Grupi merrej me shitjen e llojeve të ndryshme të drogës në të gjithë vendin.

