“Nuk kishte urdhër për arrestimin e shefit të policisë së Kumanovës por vetëm për kontroll në shtëpinë e tij”, informuan nga Prokuroria Themelore Publike për hetimin e krimit dhe korrupsionit të organizuar.
Sipas njoftimit të PTHP, qëllimi i kontrollit ishte gjetja e gjurmëve të kryerjes së veprës penale ose të lëndëve të rëndësishme për procedurën penale dhe konfiskimin e tyre.
“Janë konfiskuar lëndë që përmbajnë të dhëna në formë të shkruar dhe lëndë që përmbajnë të dhëna në formë elektronike në lidhje me veprat penale shoqërim kriminal sipas nenit 394 dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve nga neni 353 nga Kodi Penal, si dhe vepra tjera penale për të cilat hetohet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.
Duke i pasur parasysh, informatat e plasuara në mediat në lidhje me veprimin e ndërmarrë, thuhet në kumtesën e Prokurorisë, veçmas të informatave se duhej të arrestohet personi S.V., Prokuroria Themelore e informon opinionin se veprimet e ndërmarra kanë qenë në përputhshmëri me urdhrin gjyqësor, dhe i njëjti ka qenë vetëm për bastisje, jo edhe për arrestim të personit.
**********
Pushteti kërcënon dhe tenton të ndjellë frikë te policia dhe qytetarët e Kumanovës. Kështu ka akuzuar shefi i Policisë së Kumanovës, Stojançe Veliçkoviq, në shtëpinë e të cilit mbrëmë policia kreu bastisje dhe mori disa shënime zyrtare, shkruan gazeta KOHA. “Hynë në shtëpi, filluan të kryejnë bastisje, inspektori ishte korrekt, më kumtoi se këtu bëhet fjalë për ndonjë urdhër. Kërkonin disa shkresa tek unë, ato ndodhen në çantën time, ma kontrolluan notesin, që është punë sipas rregullave të secilit shef në secilin sektor”, deklaroi Veliçkoviq dhe akuzoi se bëhet fjalë për frikësim dhe kërcënim të pushtetit ndaj policisë dhe qytetarëve të Kumanovës. Deklaratë për media ka dhënë edhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski, i cili i shprehi mbështetje shefit të policisë Veliçkoviq. Ndërkohë, mbrëmë, automjete të shumta të pjesëtarëve të MPB-së gjatë bastisjes ishin në rrugën “Potok Serava” ku ndodhet shtëpia e Veliçkoviqit.
Pas një kohe të caktuar, një grup qytetarësh, anëtarë dhe simpatizantë të LSDM-së nga Kumanova, u tubuan para shtëpisë së Veliçkoviq duke i shprehur mbështetje. Ai iu drejtua dhe kërkoi prej tyre që të largohen dhe theksoi se nuk do të arrestohet, ndërkaq nëse ka çfarëdo lloj problemi, do të zgjidhen me anë gjyqësore. Pas kësaj thirrjeje të Veliçkoviq, qytetarët u larguan të qetë. Policia në shtëpinë e Veliçkoviq kishte hyrë me urdhër për bastisje, megjithëse në Prokurorinë e Kumanovës kanë mohuar të japin informata se për çfarë kontrolli dhe dyshime bëhet fjalë. Nga PTHP Kumanovë informuan se nuk janë kompetentë për rastin dhe udhëzuan drejt Prokurorisë për krim të organizuar. Nga MPB thonë se me informata zyrtare do të dalin në opinion gjatë ditës. Sipas informatave fillestare, bastisja është kryer për gjoja parregullsi zgjedhore. Ndryshe, Veliçkoviq ishte emëruar shef i Sektorit të Punëve të Brendshme në Kumanovë dy herë nga ministri i Punëve të Brendshme, OIiver Spasovski. (koha.mk)