Prokuroria e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka reaguar pas vrasjes tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi një ditë më parë brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Në një deklaratë publike, trupa e prokurorëve shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja, duke e cilësuar atë një figurë të respektuar të sistemit të drejtësisë dhe një profesionist të palodhur në shërbim të ligjit dhe qytetarëve.
“Dënojmë me forcë këtë akt kriminal, i cili është një sulm i drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj një magjistrati, por ndaj vetë shtetit të së drejtës,” thuhet në deklaratë.
Prokuroria paralajmëron se kjo ngjarje duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi, duke ngritur shqetësimin për pasojat e gjuhës së urrejtjes dhe denigrimit publik të figurës së gjyqtarëve.
“Çdo akt dhune që synon të godasë magjistratët është një kërcënim serioz ndaj funksionimit të drejtësisë dhe rendit demokratik në vend,” nënvizohet më tej në deklaratë.
Deklaratë e Prokurorisë së Apelit për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja
Prokuroria e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e tronditur nga ngjarja kriminale që solli humbjen e jetës së gjyqtarit Astrit Kalaja, shpreh dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.
Trupa e prokurorëve dënon me forcë këtë akt kriminal ndaj gjyqtarit të nderuar Astrit Kalaja, një figurë e respektuar e sistemit të drejtësisë dhe një profesionist i palodhur në shërbim të ligjit dhe qytetarëve, dhe njëkohësisht dënon çdo akt dhune që cënon figurën e magjistratit, sepse sulmi ndaj tij është një sulm i drejtëpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës.
Kjo ngjarje duhet të jetë një këmbanë alarmi për pasojat që sjell përdorimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit të figurës së magjistratit dhe mungesën e theksuar të respektit ndaj veprimtarisë gjyqësore.