Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka hapur hetim ndaj tre personave, të dyshuar për ndotjen e ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Gostivarit dhe disa fshatra përreth.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit janë persona përgjegjës në Ndërmarrjen Publike “Komunalec” – Gostivar. Dyshohet se gjatë punimeve për testimin e sistemit të ujit, është lejuar që ujë nga një kanal i ndotur të kalojë në sistemin e ujit të pijshëm.
Gjatë kontrollit të kryer nga institucionet kompetente është konstatuar se uji i kanalit përmbante baktere dhe substanca të dëmshme. Analizat laboratorike kanë treguar se uji nuk ishte i sigurt për përdorim dhe konsum nga qytetarët.
Instituti i Shëndetit Publik ka kryer analiza të mostrave të ujit dhe ka gjetur ndotje bakteriale mbi kufijtë e lejuar, ndërsa në disa mostra është konstatuar edhe nivel i rritur i klorit.
Prokuroria dyshon se veprimet e të tre personave kanë shkaktuar ndotjen e sistemit të ujit të pijshëm dhe për këtë arsye ka nisur procedurë hetimore.
Tre të dyshuarit janë ndaluar, ndërsa prokurori publik do të vendosë për masat e mëtejshme që do t’i propozojë Gjykatës.
Hetimi për zbardhjen e plotë të rastit vazhdon.
MARKETING



