Prokurorët vendor do të marrin shumë më tepër informacione në fazat e hershme të procedurës dhe udhëzime të sakta se si duhet të vazhdojnë hetimet me zbatimin e sistemit të Europolit, përmes të cilit tani do të mund të sigurojnë të dhëna për llogaritë bankare dhe pasuritë jashtë vendit për biznesmenët dhe prokurorët e korruptuar, sqaron për Alsat prokurorja, Lençe Ristovska. Me këtë risi, pas paraqitjes së kërkesës, prokurorët do të kenë qasje në të gjitha bazat e të dhënave që disponon Europol.
“Një nga përkrahjet që mund të marrim nga Europoli është qasja në të gjitha bazat e të dhënave në të cilat Europol ka qasje, gjë që ka rëndësi të çmuar për ne. Kemi mundësinë të përdorim qendrën e tyre analitike, që për ne do të nënkuptojë se të dhënat që i kemi dhënë në kuadër të hetimeve mund të analizohen brenda asaj qendre analitike dhe mund të marrim informacion më të strukturuar që sigurisht do të na ndihmojë në drejtimin e hetimeve”, deklaroi Lençe Ristovska, Prokurore për Marrëdhënie me Eurodrejtësinë.
Mjetet e ofruara nga Europoli do të përdoren nga prokurorët vendorë, thotë Ristovska dhe pret që ky sistem të mundësojë hetime të hollësishme të individëve që janë në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion dhe për të cilët veprojnë edhe autoritetet vendore.
“Besoj se kolegët me siguri do t’i përdorin këto mjete dhe se më në fund do të mund t’i shikojmë këto raste korrupsioni nga një këndvështrim më i gjerë. Për të gjitha procedurat e zhvilluara pranë prokurorisë publike, procedurat parahetimore dhe hetimore, natyrisht, nëse kërkohen të dhëna, ekzistojnë disa kushte në të cilat mund të qasemi në ato të dhëna, por nëse çdo gjë respektohet dhe plotësohet, sigurisht që mund të bëhen kontrolle shtesë për raste të tilla”, u shpreh Lençe Ristovska, Prokurore për Marrëdhënie me Eurodrejtësinë.
Prokurorët morën gjithashtu udhëzime se si ta përdorin sistemin e Europol-it, i cili tashmë është në dispozicion të tyre, dhe ata do të mund të kryejnë kontrolle përmes Qendrës Evropiane për Krimet Ekonomike dhe Financiare. /Alsat.mk