Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe gjyqtar në Apelin e Gjykatës së Posaçme, Engert Pëllumbi ka kundërshtuar projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, duke thënë se jo vetëm që nuk e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por është edhe një tallje për të.
Në Komisionin e Ligjeve, ku po flitet për projektligjin në fjalë për t’i dhënë fund ngërçit të krijuar me pagat dhe bllokimin e tyre, ai theksoi se formula e propozuar nga Partia Socialiste është larg asaj të vendosur nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj.
“GJK si kurrë më parë ka folur qartë prerë e saktë dhe nuk ka lënë vend për interpretim. Projekti konkret, jo vetëm që nuk e respekton vendimin 15/2026 të GJK, por do ta konsideroja si një tallje me këtë vendim dhe me të drejtën e magjistratëve për të marrë një pagë dinjitoze, sikurse standardet e kushtetutës, neni 138, e përcaktojnë. GJK, në vendimin e saj, ishte e qartë”, tha ai.
Gjyqtari i Apelit të GJKKO theksoi se formula e re ka hyrë në fuqi dhe është një standard që e kanë fituar, me të cilin nuk do të negociojnë.
“Kështu që formula e sjellë në këtë projekt është shumë larg asaj formule që ka hyrë në fuqi. Ajo që na mbetet të diskutojmë se si të shkojmë te kjo formulë. Nuk mund të diskutojmë standardin që tashmë ne e konsiderojmë se e kemi fituar”, u shpreh ai.
PJESE NGA FJALA E GJYQTARIT NE KOMISIONIN E LIGJEVE:
GJK si kurrë më parë ka folur qartë prerë e saktë dhe nuk ka lënë vend për interpretim. Projekti konkret, jo vetëm që nuk e respekton vendimin 15/2026 të GJK, por do ta konsideroja si një tallje me këtë vendim dhe me të drejtën e magjistratëve për të marrë një pagë dinjitoze, sikurse standardet e kushtetutës, neni 138, e përcaktojnë. GJK, në vendimin e saj, ishte e qartë. Nuk e la tërësisht në diskrecionin e Kuvendit. Sigurisht që Kuvendi ka diskrecion. Por ashtu sikurse një organ i administratës publike diskrecionin e ushtron në përputhje me ligjin. Edhe Kuvendi i Shqipërisë diskrecionin e ushtron në përputhje me Kushtetutën. Me kushtetutë, do të kuptojmë atë që GJK interpreton. Vendimet e GJK kanë fuqinë e ligjit, por për mua janë më shumë se kaq.
Janë pjesë e pandarë e Kushtetutës. Ashtu sikurse vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përbëjnë atë çfarë ne kuptojmë me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. GJK vendosi disa kritere se ku duhej të bazohej Kuvendi me bërjen e formulës së re. Pra të marrë parasysh indeksin e çmimeve, rritjen ekonomike, rritjen e pagave në sektorin publik, të gjitha. Dhe në rast se Kuvendi nuk do ta kishte të qartë se sa bëjnë të gjitha këto rritje, ajo përcaktoi vetë një formulë dhe tha se nëse Kuvendi nuk vepron deri më 31.07.2026, atëherë paga referuese do të jetë ajo e përcaktuar në vendimin e saj pararendës, që është vendimi 35 i vitit 2022. Referencë është paga e drejtorit të departamentit në Këshillin e Ministrave, kategoria e parë, Klasa e Dytë, që sot i bie në 236 425 lekë. Argumentet tona përforcohen si pasojë e mosveprimit të Kuvendit.
Në datën 1 gusht, formula ka hyrë në fuqi. De jure ne e kemi sot një pagë referuese. Është kthyer edhe de facto, se ka marrë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, është ekzekutuar sigurimi i padisë. Është ekzekutuar edhe Gjykata e Durrësit. Pra ne sot po flasim me një pagë referuese, reale konkrete, e cila është 236 425 lekë. Ku qëndron diskrecioni i Kuvendit? Në dy momente. Momenti i parë është të përcaktojë formulën për të arritur minimalisht te kjo vlerë. Nëse më pyesni personalisht, do të preferoja referencën te nëpunësi civil, atë që bënë partnerët ndërkombëtarë. Unë po them një mendim personal. Ata kanë më shumë eksperiencë sesa ne dhe duke ditur se kategoria më vulnerabël dhe të cilës i reflektohen më shpejt ndryshimet ekonomike, preferuan se referencën e pagave të magjistratëve ta bënin tek nëpunësit civilë se janë ushtri e tërë me 100 e ca mijë civil dhe janë një shtresë e rëndësishme për vendin.
Çdo qeveri priret t’i mbajë me paga të tilla që të përballojnë kushtet e jetesës. Kështu që formula e sjellë në këtë projekt është shumë larg asaj formule që ka hyrë në fuqi. Ajo që na mbetet të diskutojmë se si të shkojmë te kjo formulë. Nuk mund të diskutojmë standardin që tashmë ne e konsiderojmë se e kemi fituar. Sa i përket pjesës tjetër të shtesës së Gjykatës së Lartë. Unë nuk e konsideroj të drejtë që GJL t’i konsiderohet vështirësi natyra e punës që bën ajo, duke qenë se shkallët e para dhe Apelet pa patur ndihmës përballojnë një punë më të madhe se GJL dhe Gjykata e Posaçme, këtë shtesë e merr për dy arsye. E para për kufizimet që ka në jetën private, ku parashikohet monitorimi i telefonit, email, i llogarive bankare dhe e dyta, për shkak të natyrës së çështjeve që gjykon, korrupsioni në nivele të larta dhe krimi i organizuar. Gjykata e Lartë mbetet gjykatë ligji, nuk i gjykon këto çështje në themel.
Dhe e dyta, gjyqtarët e GJL nuk e kanë kufizimin e privatësisë që kanë gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme, që janë gjyqtarët e shkallës së parë dhe Apelit, Prokuroria e Posaçme dhe BKH. Pra, edhe pse GJL, mund t’i gjykojë këto çështje, i gjykon në pikëpamje të ligjit. A duhet të ketë diferencë më të madhe midis shkallëve të Apelit dhe GJL? Patjetër. Mendoj se 8 përqind është pak. Mund të marrim shembuj plot. Italia i jep më shumë peshë vjetërsisë sesa shkallëve. Gjermania më shumë peshë shkallëve sesa vjetërsisë. Ne zgjodhëm formulë 8%. Mund të ndreqet. Mund të bëhet 10, 20. Këtu Kuvendi ka diskrecion të plotë, pa e ulur më pak se 8% se është standard i fituar. Sa i përket barrës fiskale, mund të negociohet shpërndarja e kësaj barre në disa vite, është propozuar në dy, mund të bëhet në 3, 4. Mund të negociohet dhe këtu mund të ketë tolerancë.
Miratimi i një ligji që do të respektonte standardin e vendimit të GJK do të bënte që të gjithë magjistratët të tërhiqnin paditë. Kanë disa kosto nga pas. Nuk është vetëm vlera e pagës që magjistrati duhet të marrë. Është vlera e shpenzimeve të avokatit, përmbaruesit, ekspertit. Dhe këto janë kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Për të lehtësuar barrën fiskale mundet të ndahen funksionarët që referencën e kanë te paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nuk janë pak. Kjo do të ulte barrën fiskale. Nuk flitet për barrë fiskale, kur flasim për standarde. Kjo është gjë që nuk e kemi pushtetin ta negociojmë. Nuk negociohet me Kushtetutën, nenit 138, 132 dhe vendimet e GJK.
Sa i përket barazisë në pagave në GJL, është e vetmja pikë e këtij projektligji për t’u përshëndetur. Duhet të vendosur një barazi ndërmjet pagës së gjyqtarëve të GJL me gjyqtarët e karrierës. Projektligji parashikonte se vjetërsia jashtë sistemit gjyqësor të njihet si vjetërsi për efekt të llogaritjes së pagës në GJL. Pra nëse një profesor ka 25 vite që jep mësim në universitet, duhet t’i llogaritet paga maksimale vjetërsi.
The post “Projektligji i PS, tallje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, Gjyqtari Engert Pëllumbi: Formula e propozuar është larg asaj që ka hyrë në fuqi! S’e diskutojmë standardin që kemi fituar! Nuk negociohet me Kushtetutën appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



