Një ceremoni për dhënie certifikatash është organizuar në përfundim të kursit të mësimit të kuzhinës turke, ndjekur nga 25 nëna të fëmijëve jetimë të mbështetur në vazhdimësi nga Fondacioni ALSAR.
Ceremoninë e kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Murat Ahmet Yörük, dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Kursi i zhvilluar në kuadër të projektit të diplomacisë gastronomike Turqi-Shqipëri pati të veçantë pjesëmarrjen e mastershefes së mirënjohur turke, Ebru Baybara Demir. Esenciale, e vyer, ishte prania dhe ndihma e saj për mbarëvajtjen e kursit.
Të pranishmëve iu drejtua fillimisht me një fjalë kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili foli mbi rëndësinë dhe të mirat e një projekti të tillë të diplomacisë gastronomike.
Veprimtarinë e përshëndeti më pas ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Murat Ahmet Yörük. Një fjalë mbajti dhe mastershefja turke, Ebru Baybara Demir.
Nënat e jetimëve morën certifikatat në përfundim të kursit që u hap mundësinë e punësimit dhe të sigurimit të të ardhurave të vazhdueshme, ndërkohë që u dhanë dhurata për mastershefen turke dhe bashkëshorten e ambasadorit turk në Tiranë, znj. Ayşegül Erdal Yörük.
Ceremoninë e shoqëruan pamjet filmike të zhvillimit të kursit, përgatitur nga Fondacioni ALSAR dhe Anadolu Agency.
Në mbarim të ceremonisë, të pranishmit shijuan darkën e shtruar me gatimet e nënave të jetimëve.