Dy vjet më parë, në fushatën parazgjedhore, kryetarja aktuale e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, e cila në mënyrë euforike festoi fitoren e saj para “Pallatit të Bardhë” të opozitës VMRO-DPMNE, së bashku me Hristijan Mickoskin, u premtuan qytetarëve se do ta bëjnë qytetin metropol evropian dhe se do të rrjedhë “mjaltë dhe qumësht” për shkupjanët. Por, pas dy vitesh nga mandati i saj, Shkupi është bërë qytet pa asnjë aktivitet dhe investimet kapitale të premtuara mbeten vetëm në letër.
Anëtari i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së – Petre Shilegov, duke folur për punën dyvjeçare të Arsovskës si kryetare e kryeqytetit, theksoi se Shkupi humbi dy vjet për shkak të papërgatitjes dhe mosnjohjes së kësaj çështje nga ana e udhëheqësisë së re të qytetit. Projekti i transportit publik në Shkup, Bus Rapid Transit – BRT, ka ngecur për dy vjet, tha Shilegov.
“Nuk ka të meta strategjike në projektin BRT, po hidhet pluhur në sytë e opinionit”, theksoi Shilegov, duke shtuar se në projektin BRT kanë punuar ekspertë nga Londra, Brukseli, por edhe nga vendi dhe zgjidhja e trafikut bazohet në ekspertizë të tillë.
Tenderi ishte shpallur para zgjedhjeve në vitin 2021, por pushteti aktual lokal në Shkup e ndërpreu procedurën. Është opsioni i vetëm i qëndrueshëm për transportin publik modern në Shkup, shtoi ai.
Duke folur për premtimin e parealizuar të Arsovskës për transport falas në qytet, Shilegov theksoi se qytetarët janë tradhtuar me fjalë të lehta që nuk janë reale, duke theksuar se e vetmja mundësi për ta bërë transportin më të lirë është BRT, e cila do të ulte çmimet e transportit publik në mënyrë të konsiderueshme, deri në 70%.
– Jam i tronditur nga qëndrimi i pushtetit actual lokal ndaj qytetarëve. E kemi parë se çfarë po ndodh me transportin publik në qytet, për herë të parë patëm grevë në transportin publik, pothuajse nuk ka autobusë, sistemi i NPS-së është shkatërruar. E gjithë kjo po godet qytetarët, qytetarët po e paguajnë çmimin, tha Shilegov, duke shtuar se çdo fjali e thënë lehtësisht ka pasoja të rënda.
Cilat ishin pikat kryesore me të cilat Arsovska, e mbështetur nga VMRO-DPMNE, e fitoi mandatin për kryetare të qytetit të Shkupit?
Eko Shkupi me zhvillim të balancuar dhe administrim të fortë – ishte refreni i Arsovskës para dy viteve në fushatën parazgjedhore, por as nga këto premtime nuk doli asgjë. Ajo çdo muaj emëron dhe shkarkon drejtorë të ndërmarrjeve, ndërsa administrata komunale nuk është në nivelin e duhur sa i përket shërbimeve ndaj qytetarëve.
– Vizioni im janë zgjidhje të shpejta dhe të besueshme. Projektet “15 + 1” duhet të ndryshojnë shpejt dhe me efikasitet mënyrën e jetesës së banorëve të Shkupit. Projektet strategjike janë transporti publik falas dhe 250 autobusë të rinj miqësorë me mjedisin, si një alternativë ekologjike ndaj makinave, për të reduktuar ndotjen dhe bllokimin e trafikut. Administrata në qytetin e Shkupit dhe ndërmarrjet publike që në ditën e parë do të marrin urdhër që të gjitha problemet konkrete, dobësitë dhe mangësitë të konstatohen dhe të propozohen zgjidhje për to Është e papranueshme në shekullin e 21-të që banorët e Shkupit të mos kenë kushtet elementare për jetë, si ujërat e zeza, uji, asfalti, transporti me autobus – u premtoi Arsovska në zgjedhjet lokale në vitin 2021.
Pas dy viteve të humbura, Arsovska ndryshoi mendje
Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, siç njoftuan javën e kaluar nga qyteti i Shkupit, i ka rënë pishman në lidhje me projektin BRT që e kishte filluar administrata e mëparshme e qytetit në krye me Petre Shilegov.
– Shkupi më në fund do të ketë një sistem të ri transporti. Sistemi i Transportit të Shpejtë me Autobus mori dritën jeshile nga partnerët ndërkombëtarë, i cili nis zbatimin në kryeqytet. Projekti përfshin ndërtimin e dy terminaleve të reja, qendrave të transportit, sigurimin e qarkullimit të pandërprerë të autobusëve, si dhe blerjen e autobusëve të rinj ekologjikë që përdorin CNG…, thuhet në njoftimin e Qytetit të Shkupit.
Mjetet në vlerë prej 70 milionë euro për realizimin e projektit BRT janë siguruar nga Qeveria
Pas dy vitesh pasiviteti dhe ndërrimi i mendimit të Danela Arsovskës, Qeveria nuk e la qytetin në mëshirë të kryetares. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski dje në Shkup e ka nënshkruar marrëveshjen për implementimin e Sistemit të Transportit të Shpejtë të Autobusëve (BRT). Projekti do të realizohet në bashkëpunim mes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, Ministrisë së Financave dhe Qytetit të Shkupit. Mjetet në vlerë prej 70 milionë euro për realizimin e këtij projekti janë siguruar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
– Projekti përfshin ndërtimin e dy terminaleve të rinj, të qendrave të transportit, sigurimin e qarkullimit të pandërprerë të autobusëve, si dhe blerjen e autobusëve të rinj ekologjikë që përdorin CNG. Sistemi i ri është planifikuar të ketë dy linja që do të lidhin qytetin përgjatë vijës lindje-perëndim, e para nga Gjorçe Petrov në Novo Lisiçe dhe linja e dytë veri-jug, nga Buteli në Pintija, dhe të dy linjat do të përputhen në Qendrën e Qytetit. Përmes këtyre investimeve, Qeveria përmes Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit zbaton politikën e transportit për transport efikas dhe ekologjik në zonat urbane”, thonë nga Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2021 besimin e banorëve të Shkupit e kërkuan 12 kandidatë për kryetar komune dhe 15 lista për këshilltarë. Ish-kryetarja e Unionit të Odave Ekonomike Danella Arsovska, e diplomuar në drejtësi dhe e diplomuar në ekonomi, fitoi postin e kryetarës së qytetit me mbështetjen e opozitës VMRO-DPMNE dhe Koalicionit “Rimëkëmbja e Maqedonisë” dhe Aleancës së Shqiptarëve dhe Alternativës./fronline.mk