Shpalosja gjysmake, me gabime, apo edhe versionet e ndryshuar brenda pak minutash të programeve zgjedhore, nga vet kandidatët, shkaktojnë konfuzion tek qytetarët dhe dyshim se vallë a do të realizohen vërtet ato premtime e plane që prezantohen para këtyre të fundit. Kjo vërehet shumë në këtë fushatë parazgjedhore ku falë debateve televizive, kandidatët mund të shpalosin programet e tyre për atë se si do të menaxhojnë me komunën në harkun kohorë 4 vjeçar. Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve, janë vet ata kandidatë që të lënë përshtypjen se nuk e dinë saktësisht se çfarë do të punojnë apo se si do ta zgjidhin një problem të caktuar. Shpesh në debate me kundërshtarët e tyre, kandidatët kanë ndryshuar pjesë të programit zgjedhor brenda një kohë të shkurtër, detaje nga projektet, detaje të cilat lidhen me buxhetin, fillimin/ zhvillimin dhe përfundimin e projekteve që kanë të bëjnë me ujësjellësit, kanalizimet,shkollat,kopshtet ambulancat, shkruan Almakos.
Për analistin Xhelal Neziri, një prezantim i tillë i mangët i programeve zgjedhore vë në mëdyshje bindjen e kandidatëve se të njëjtat mund t’i realizojnë.
“Debatet janë gjëja më e mirë që u kanë ndodhur këtyre zgjedhjeve. Një ambient i vërtetë demokratik, me shumë mendime ndryshe dhe përgjithësisht një tolerancë ndaj rivalëve politik. Por, ajo që bie në sy është mungesa e programeve konkrete dhe të njëmendta dhe mungesa e përgatitjes së një pjese të kandidatëve për kryekomunarë. Këto debate kërkojnë kandidatë që kanë lexuar programet zgjedhore, që u besojnë atyre dhe që janë të bindur se mund t’i realizojnë”- tha Neziri.
Sipas Nezirit, koha që kandidatët kanë në dispozicion të përgatitën është e pamjaftueshme, pasi që vendimi për kandidimin e tyre bëhet në momentin e fundit.
“Ndodh kjo për shkak se kandidatët caktohen në momentin e fundit. Nuk projektohen me kohë që të kenë mundësi të përgatisin dhe t’i mbrojnë programet që i premtojnë në zgjedhje. Më shumë është faji i partive sesa i kandidatëve si individë”- theksoi analisti Xhelal Neziri.
Ndërsa , sipas analistit Alajdin Demiri, nëpërmjet këtyre debateve u tregua se shumë nga këta të përzgjedhur si kandidatë nuk janë të informuar se ku mbarojnë kompetencat e pushtetit lokal dhe ku fillojnë ato të pushtetit qendrorë, gjë që rezulton me premtime të cilat, deri diku, ndoshta edhe ata vet e dinë se nuk mund t’i realizojnë.
“ U nxor në pah një mosnjohje shumë e thellë e kapaciteteve të këtyre kandidatëve. Mosnjohjet e thella ishin raportet konceptuale të pushtetit qendrorë dhe të pushtetit lokal. Shumë nga kandidatët nuk i kanë të qarta kompetencat dhe atë që e ofrojnë si teori edhe mund ta bëjnë. Nuk e kanë të qartë burimin, me çfarë buxheti do të operojnë, pra ku do t’i marrin paratë. Nuk e kanë të qartë deri ku i kanë kompetencat dhe çfarë mund të ndërtojnë premtimet e shumta për autostrada, zgjidhjen me deponitë e të tjera, tregojnë mosnjohjen e politikës dhe pushtetit lokal dhe ambiciet e mëdha për të fituar. Nga ana tjetër unë mendoj se edhe vet ata e dinë se ato premtime që i kanë bërë nuk mund t’i realizojnë. Mirëpo, koha e tashme e fushatës është e tillë që çdo gjë mund të thuhet dhe çdo gjë mund të realizohet. Ajo që është dëshpëruese është se edhe kandidatët e vjetër, ata që kanë qenë kryetarë komunë, e luajtën të njëjtën lojë, me premtime të njëjta dhe të pakuptimta duke e ditur që nuk mund të realizohen”- tha analisti Alajdin Demiri.
Kandidatët kanë edhe katër ditë në dispozicion për të bindur qytetarët se ofrojnë programin më të mirë për menaxhimin e komunës në të cilën synojnë fitore. Më 15 Tetor do të jetë radha e qytetarëve të japin vlerësimin për programin më të mirë dhe të zgjedhin kandidatin e duhur për kryetarë komune.
/Almakos.com
Përgatit: Evi Shkopi