Profesoresha e së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”, Renata Deskoska, e cila më parë ka shërbyer si ministre e Arsimit dhe Shkencës, si dhe ministre e Drejtësisë në qeveritë e LSDM-së, është zgjedhur nënkryetare e Komisionit të Venedikut, transmeton Portalb.mk.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo shprehu kënaqësinë që është nënkryetarja e parë e këtij Komisioni që vjen nga Maqedonia e Veriut, por edhe nga një vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian apo nga ndonjë prej shteteve të dala nga ish-Jugosllavia.
Sipas saj, zgjedhja përbën një vlerësim për angazhimin dhe kontributin e deritanishëm në punën e Komisionit, pasi deri më tani ka marrë pjesë në hartimin e 14 opinioneve për vende të ndryshme, të cilat janë miratuar njëzëri në seancat plenare.
“Sot u zgjodha nënkryetare e Komisionit të Venecias, i cili po mban sesionin e tij të 145-të më 12 dhe 13 dhjetor në Venecia. Gjatë ditës së djeshme, për presidente të re të Komisionit të Venedikut u zgjodh Marta Cartabia, profesoreshë e së drejtës kushtetuese dhe ish-ministre e Drejtësisë në Itali. Sot u zgjodhën tre nënkryetarë të Komisionit të Venedikut: unë, Erik Holmøyvik nga Norvegjia dhe Timothy Otty nga Mbretëria e Bashkuar”, shkroi ajo.
Komisioni i Venedikut është organ këshillimor i Këshillit të Evropës. Ai përbëhet nga ekspertë të pavarur të së drejtës kushtetuese dhe roli i tij kryesor është të ofrojë këshilla juridike për shtetet anëtare dhe joanëtare. Komisioni është themeluar në vitin 1990 për të ndihmuar vendet në tranzicion nga Evropa Qendrore dhe Lindore në harmonizimin e sistemeve të tyre juridike me standardet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.


