Me datë 18 dhe 19 shtator drejtori i Shtëpisë Botuese Logos-A, Prof. Dr. Adnan Ismaili ishte pjesëmarrës në simpoziumin ndërkombëtar që u mbajt në Stamboll ku u trajtua gjendja e botimeve të literaturës islame dhe e ardhmja e tyre në botën bashkëkohore.
Lufta kundër islamofobisë dhe bashkëpunimi ndërmjet botuesve ishte temë e cila gjithashtu u shtrua për diskutim në këtë simpozium, në të cilin morën pjesë botues nga rreth 50 shtete. Nga vendet e Ballkanit të pranishëm ishin ShB Logos-A nga Maqedonia e Veriut, ShB “Alsar” nga Shqipëria dhe botues nga Bosnja dhe Hercegovina.
Pjesëmarrës të tjerë ishin botues nga Azia Juglindore siç janë Indonezia, Malajzia etj., Lindja e Mesme siç është Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti etj., vendet afrikane si psh. Egjipti, Nigeria etj., vendet evropiane, Britania e Madhe, Gjermania etj., dhe botues nga SHBA-ja.
Punimet e takimit dy ditorë u përshëndetën nga kryetari i Parlamentit të Turqisë, z. Mustafa Shentop, si dhe nga zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë, Prof. Dr. İbrahim Kalın. Ndër tjerash, Dr. Adnan Ismaili moderoi sesion shkencor me temë; “Roli i sektorit botues në luftën ndërkombëtare kundër Islamofobisë”.
Gjatë ditëve të realizmit të simpoziumit ndërkombëtar u themelua Unioni Ndërkombëtar i Botuesve të Literaturës Islame dhe u bë zgjedhja e organeve drejtuese të saj, ndërsa Dr. Adnan Ismaili u zgjodh përfaqësues nga Ballkani dhe anëtar bordi i cili përbëhet prej 9 anëtarëve.
Vlen të përmendim që ky simpozium u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, “Albayrak Group” dhe TIKA.