Reparti i Dermatologjisë në Spitalin e Kumanovës ka mungesë të mjekëve, gjë që detyron pacientët të presin me orë edhe kur ata kanë termin me prioritet. Ata për Portalb.mk thonë se madje ka raste kur stafi mjekësor është sjellur joprofesionalisht dhe i ka neglizhuar ata. Nga Spitali i Kumanovës e konfirmuan mungesën e mjekëve dhe thanë se gjatë muajit maj shpresojnë të punësohen tre specializantë në këtë repart,si dhe se janë duke u konsultuar me Ministrinë e Shëndetësisë për të punësuar staf mjekësor të mesëm dhe teknik ndihmës, shkruan Portalb.mk.
E.A nga Kumanova rrëfen për Portalb.mk se më 24 prill rreth orës 10:40 ishte drejtuar në repartin e Dermatologjisë në Spitalin e Kumanovës për shkak se kishte pasur probleme me rënie të flokëve, por që kishte hasur në probleme.
“Ka një vit që kam probleme me rënien e flokëve dhe kam pasur shpesh punë në repartin e Dermatologjisë. Para një muaji kur kisha kontroll, atë ditë shkova në spital pa udhëzim për shkak se mjekja që më kontrolloi paraprakisht më tha se kontrollet bëhen edhe pa udhëzim nga mjeku amë. Por, pash se mjekja ishte pensionuiar kurse në vend të saj kishte një dermatologe tjetër, dhe ajo nuk më pranoi për shkak të mos-pasjes së udhëzimit. U ktheva, u detyrova të shkoj te mjeku amë të marr udhëzimin me prioritet dhe sërish shkova për kontroll. Atë ditë u përballa me një sjellje të papranueshme nga ana e mjekes, e cila, ndonëse ishte në vendin e saj të punës më refuzoi duke u justifikuar se ishte në pauzë. Më drejtoi të shkoj në sportel, ku më thanë që për kontrolle të shkoj ditën e hënë, sepse sot (ditën e enjte) mjekja nuk pranon më sepse në ora 12 ajo shkon te Fondi. Madje, prapa sportelit punonte pastruesja dhe jo motra medicinale.”, tha qytetarja.
Më pas ajo tregon se e revoltuar është kthyer te mjekja.
“Pas kësaj unë u revoltova dhe iu drejtova mjekes dhe infermieres se kjo gjë nuk është në rregull! Herën e kaluar un nuk kisha udhëzim sepse ashtu më tha mjekja tjetër e ju më refuzuat, por, sot unë udhëzimin e kam me prioritet. Pas hapjes së debatiti të panevojshëm me të, më në fund mjekja më kontrolloi. Shëndeti i pacientëve nuk mund të trajtohet si diçka e parëndësishme, ndërkohë që ne paguajmë për një sistem që në realitet nuk funksionon aspak. Fatkeqësisht, terminet asnjëherë nuk respektohen dhe ne pacientët si me termin si pa termin detyrohemi të presim mbi dy orë, kurse me muaj për një termin”, shtoi ajo.
Ajo theksoi se nuk është aspak e hijshme që pasi të revoltohet pacienti, mjekët të “detyrohen” t’i marrin për kontrolle.
Një qytetare tjetër nga fshati Mateç i Komunës së Likovës tha se edhe pse kanë qenë vetëm pesë pacientë që i kishin udhëzimet me prioritet, janë detyruar të presin deri në mbi tre orë për kontroll.
“Me 29 prill e kisha udhëzimin me prioritet nga mjeku amë, prej në ora 08:30 e mëngjesit kam pritur. Bile edhe ne që ishim me prioritet, pesë pacientë morëm numra nga ana e infermieres. Pasi dermatologia e njoftoi motrën që duhet te marrim numra tre prej neve që prisnim në radhë pranuam numra ndërsa dy u dërguan në shtëpi që të shkojnë për nesër. Ora ishte ende 09:40 nuk e di si ka mundësi të mos ketë kohë për kontrolle të të gjithë pacientëve?! Gjithashtu, sjellja e dermatologes ishte shumë arrogante, bile edhe sjellja e saj ndaj motrës ishte e ashpër. Nuk kemi faj se vetëm një dermatologe është në të dy komunat”, tha ajo.
Në lidhje me këtë problem Portalb.mk kontaktoi Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, ata thonë se gjatë muajit maj do të punësohen tre specializantë në repartin e Dermatologjisë.
“Aktualisht kemi vetëm një dermatolog, dhe është në proces punësimi i tre mjekëve specializantë në dermatologji. Shpresojmë që gjatë muajit maj të përfundojë i gjithë procesi, me çka gjendja në repart do të fillojë gradualisht të normalizohet”, deklaruan nga Spitali i Kumanovës.
Mungesë stafi gjithandej
Nga atje thonë se jo vetëm në repartin e Dermatologjisë ka mungesë të stafit, por në të gjitha repartet e spitalit.
“Ka mungesë të infermierëve, stafit teknik, pastruesëve, jo vetëm në këtë repart, por në të gjitha repartet e Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës. Për tridhjetë e pesë vite nuk është investuar mjaftueshëm në hapësira, pajisje dhe staf në sistemin shëndetësor në përgjithësi. Po bëjmë përpjekje, në konsultim me Fondin për Sigurim Shëndetësor, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Financave, për të punësuar staf mjekësor të mesëm dhe personel teknik ndihmës”, shtuan nga Spitali i Kumanovës.
Kujtojmë se në korrik 2024 qytetarët e Kumanovës u ankuan se në Spitalin e Kumanovës nuk ka pajisje ekografike dhe detyrohen që incizimet t’i bëjnë nëpër ambulanca private. Kurse në nëntor 2024 në repartin e otalmologjisë në Spitalin e Kumanovës pacientët u ankuan se nuk ka mjekë kujdestarë, dhe se kontrollet e tyre i kryenin infermiret.
Pyetje dërguam deri te Ministria e Shëndetësisë, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në nëntor 2024 tha se mungojnë së paku 1000 mjekë dhe do të bëjnë punësimin e 600 specializantëve privatë. Megjithatë, kujtojmë se punësimi i tyre ecën me ritëm të ngadaltë në mënyrë të papranueshme.
Reparti dermatologjisë në Spitalin e Kumanovës. Foto nga Portalb.mk
Reparti dermatologjisë në Spitalin e Kumanovës. Foto nga Portalb.mk
BE: Shëndetësisë së RMV-së i duhet ndërhyrje, infermierët dhe specialistët po ikin jashtë vendit
Shumë sfida mbeten për t’u zgjidhur në fushën e shëndetit publik, veçanërisht në lidhje me kontrollin dhe qasjen e duhanit, pastaj, duhet të përmirësohet gama e shërbimeve shëndetësore, financimi i kujdesit parësor shëndetësor dhe skriningu i kancerit. Përveç kësaj, harmonizimi i kujdesit shëndetësor të Maqedonisë me legjislacionin e BE-së për kujdesin shëndetësor mbetet i paplotë, transmeton Portalb.mk.
Këto janë vetëm disa nga vërejtjet e raportit të fundit të Komisionit Evropian për progresin e vendit, në pjesën që i referohet shëndetësisë.
“Në vitin e ardhshëm, vendi duhet të intensifikojë përpjekjet për kontrollin e duhanit duke zbatuar në mënyrë efektive legjislacionin përkatës të BE-së dhe duke ratifikuar Protokollin për Eliminimin e Tregtisë së Paligjshme të Produkteve të Duhanit. Gjithashtu duhet të sigurohet financim dhe kapacitet adekuat për të siguruar zbulimin e hershëm të kancerit dhe sëmundjeve të rralla në bazë të të dhënave nga regjistrat”, thuhet në pjesën e rekomandimeve për autoritetet e Maqedonisë.
Aty thuhet se kujdesi parësor shëndetësor është falas, por disponueshmëria dhe diapazoni i shërbimeve, si dhe financimi i kujdesit parësor shëndetësor, janë fusha ku duhet punuar.
“Edhe më tek mungojnë specialistë të caktuar. Raporti i mjekëve dhe infermierëve për 100 mijë banorë vazhdon të jetë nën mesataren e BE-së dhe stafi mjekësor, infermierët dhe specialistët vazhdojnë të largohen nga sektori i shëndetësisë publike për të punuar në sektorin privat ose jashtë vendit”, thuhet në raport.
Kostot e kujdesit shëndetësor janë të larta dhe kjo pengon aksesin e barabartë në kujdesin shëndetësor.