Një 35-vjeçar nga fshati Buçim i Radovishit është ndaluar nga policia pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij janë gjetur 14.440 euro në valuta të ndryshme, për të cilat nuk ka paraqitur dëshmi për prejardhjen.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 13 gusht policia ka ndaluar një automjet të tipit “Audi” në rrugën magjistrale Radovish–Shtip, pranë kryqëzimit për fshatin Buçim.
Automjeti drejtohej nga M.V., ndaj të cilit më herët ishte caktuar masa e kujdesit – ndalim për largim nga shtëpia, nën dyshimin për veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të drogës.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur 14.440 euro, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori publik.
“M.V. nuk ka paraqitur dëshmi për prejardhjen e parave të gjetura”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Më 14 gusht, 35-vjeçari është nxjerrë para gjykatësit në Gjykatën Themelore në Gjevgjeli, i cili i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Pas vendimit, ai është dërguar në Burgun e Shkupit.
MARKETING


