
Deri të enjten rajoni i Maqedonisë do të jetë nën ndikimin e masës së lagësht dhe relativisht të ftohtë të
ajrit që do të ketë kushte për mot të vranët me reshje të borës, ndërsa vetëm në juglindje do të ketë shi dhe borë.
Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njoftojnë se sot pritet të ketë reshje të kohëpaskohshme të borës, ndërsa gjatë natë reshjet do të intensifikohen.
Sipas parashikimeve të Drejtorisë, në dy ditët e ardhshëm reshjet do të jenë më të mëdha, veçanërisht prej nesër pasdite deri të enjten paradite. Shtresa e borës gjithkund dukshëm do të rritet, në disa vende për 20 deri në 30 cm. Më shumë reshje do të ketë në jug të vendit ku në disa vende priten edhe mbi 40 cm borë e re. Të enjten, rreth mesditës duke filluar nga perëndimi reshjet gradualisht do të ndalojnë.
Në luginën e Shkupit reshje më të mëdha do të ketë nga fundi i ditës dhe në natën drejt të enjtes, ndërsa shtresa e borës pritet të rritet për rreth 20 cm.
Reshjet e borës që e kanë përfshinë Maqedoninë kanë vështirësuar komunikacionin nëpër rrugë. Aksi Makedonski Brod – f.Zdunje në të cilin gravitojnë 11 fshatra, nuk është i kalueshëm për çfarëdo lloj qarkullimi.
Nga ora 9:45 në mëngjes është hequr ndalesa për qarkullim për automjete të rënda transportuese në aksin Gostivar – Kërçovë përmes qafës malore Strazhë, ndërsa në aksin Kërçovë – Ohër përmes qafës malore Presekë është hequr në orën 9:50, njofton Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë
Komunikacioni në rrugët e tjera nëpër shtet po zhvillohet rrjedhimisht në kushte dimërore nëpër rrugë të lagështa, me mbetje të borës nëpër rrugë.
LAMM rekomandon kujdes në drejtimin e automjetit, shpejtësi të përshtatur të lëvizjes dhe respektim të sinjalizimit të vendosur rrugor. Në grykat malore është e mundur paraqitja e shembjeve të vogla, veçanërisht në akset rrugore: Koçan – Makedonska Kamenicë – Delçevë, Vinicë-Berovë, Gostivar-Strazhë, Mavrovë-Dibër-Strugë, D.Kapi-Udovë, Katlanovë-Veles, Krushevë-Demir Hisar dhe Resnje -Bukovë.
Intensiteti i komunikacionit në drejtimet rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar.
Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. Ky informacion ka të bëjë vetëm për vendkalimet e Maqedonisë. Komunikacioni ajror dhe hekurudhor tani për tani po zhvillohet pa ndalesa.
Gjatë 24 orëve të fundit në Shkup janë regjistruar 13 aksidente rrugores. Sipas evidencës së SPB Shkup, në pesë aksidente lëndime më të lehta trupore kanë marrë 10 persona, ndërsa në tetë janë shkaktuar dëme materiale.
Enis Murtezi /SHENJA/
Priten reshje të reja të dëborës (VIDEO) by tvshenjaofficial