I ndjeri Prof. Dr. Nazmi Maliqi është dekoruar javën e kaluar me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Driton N. Maliqi, i cili ka theksuar se ky vlerësim përfaqëson njohjen institucionale të një jete të tërë përkushtimi, sakrifice dhe angazhimi në periudha të rëndësishme për çështjen kombëtare.
Sipas familjes, ky nderim sjell një ndjenjë të dyfishtë – krenari për kontributin dhe gjurmën që ka lënë profesori Maliqi, por edhe mall për mungesën e tij fizike në këtë moment të veçantë.
“Ky vlerësim na prek thellë, sepse përtej medaljes, ai përfaqëson njohjen e një jete të tërë në shërbim të çështjeve me rëndësi historike për kombin tonë”, thuhet në reagimin e familjes.
Familja Maliqi ka shprehur gjithashtu mirënjohje të thellë ndaj Presidentes së Kosovës dhe të gjithë atyre që kontribuan në realizimin e këtij vlerësimi, duke theksuar se vepra dhe kontributi i sinqertë mbeten të gjalla në kujtesën kolektive.




