Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë nuk është më afër njëri tjetrit, por më afër Bashkimit Evropian.
Sipas saj, marrëveshja trajton Kosovën dhe Serbinë si palë kontraktuese të barabarta për herë të parë.
“Përmes saj, Serbia e njeh integritetin tonë territorial në përputhje me Kartën e OKB-së dhe marrëveshja e siguron njohjen reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare. Më e rëndësishmja, në marrëveshje thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha ajo në një intervistë të dhënë më 31 mars për gazetën austriake “Die Presse”.
Ajo u shpreh se ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë së fundmi në Vjenë se Serbia nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo është një shkelje e qartë e marrëveshjes, thotë Osmani.
“Neni 4 i marrëveshjes e bën të qartë se Serbia nuk do ta pengojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Por, ne e dimë se kush është pengesa e vërtetë: nuk është Serbia, është Rusia. Për shkak të drejtës së vetos, është Rusia e cila mund të shkaktojë probleme me pranimin e Kosovës në OKB. Me kalimin e kohës do ta zgjidhim edhe këtë. Aktualisht prioritetet tona janë anëtarësimi në NATO, anëtarësimi në organizata si Këshilli i Evropës dhe sigurisht integrimi në BE”.
Sa i përket Asocacionit të Komunave me Shumicë serbe, Osmani u shpreh se problemi kryesor është Serbia.
“Për shembull, nëse Austria do ta kërkonte një shoqatë të veçantë për austriakët në Kosovë, ne nuk do të shqetësoheshim aq. Austria e njohu Kosovën si shtet. Nuk është qëllimi i Austrisë ta minojë pavarësinë tonë. Serbia nuk dëshiron të avancohen të drejtat për serbët në Kosovë. Përkundrazi, ajo përdorë strukturat e saj ilegale në veri të Kosovës për t`i kërcënuar serbët që jetojnë atje. Ata thjesht duan ta bëjnë Kosovën jofunksionale si shtet, siç kanë bërë me Republikën Srpska në Bosnje e Hercegovinë. Ata duan një Milorad Dodik të dytë (President i Republikës Srpska) në Kosovë”, shtoi ajo.
Ajo po ashtu u shpreh se “ne e kemi një vijë të kuqe” për Asociacionin duke deklaruar se “nuk duhet të ketë të drejta ekzekutive për një strukturë paralele administrative serbe”, transmeton Paparaci.
“Nëse Kosova i respekton zotimet në kuadër të marrëveshjes, do të kujdeset të veprojë në përputhje me kushtetutën. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese po ashtu përmendet nevoja për respektimin e parimit të multietnicitetit. Një shoqatë e komunitetit serb do të duhej gjithashtu të respektonte të drejtat e grupeve të tjera etnike që jetojnë aty”.
“Ne e kemi një vijë të kuqe: nuk duhet të ketë të drejta ekzekutive për një strukturë paralele administrative serbe. Por në të njëjtën kohë, natyrisht, ne do t`i zbatojmë të gjitha të drejtat dhe liritë e pakicave sipas standardeve evropiane. Kjo duhet të shkojë paralelisht me zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes, siç është njohja e simboleve kombëtare. Serbia ka treguar se nuk dëshiron ta zbatojë këtë. Ne presim që edhe nëse Serbia vazhdon me bllokada, partnerët tanë do të mbështesin integrimin ndërkombëtar të Kosovës”, shtoi ajo.



