Menaxheri i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka sqaruar se presidentja ka të drejtë ta kthejë Ligjin për Specialen në Kuvend, duke theksuar se kjo mundësi është e lidhur me kushte të caktuara kushtetuese dhe ligjore.
Cakolli shpjegoi se presidentja mund të ushtrojë një veto pezulluese, e cila ndalon përkohësisht shpalljen e ligjit. Kjo e drejtë është e kushtëzuar nga rreziku i mundshëm për interesat legjitime të Kosovës ose të komuniteteve, të cilat presidentja duhet t’i argumentojë me kundërshtime specifike ndaj ligjit.
Ai theksoi se kjo kompetencë duhet të ushtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga pranimi i ligjit. Në rastin e Ligjit për Specialen, afati për dekretim ose kthim përfundon më 23 tetor. Nëse presidentja nuk merr një vendim brenda këtij afati, ligji do të konsiderohet i shpallur dhe do të hyjë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Nëse presidentja vendos ta kthejë ligjin, Kuvendi ka mundësinë ta miratojë atë sërish me shumicën e deputetëve, që do të thotë së paku 61 vota pro. Në këtë rast, ligji do të konsiderohet i shpallur, duke e shteruar mundësinë e kthimit nga presidentja, e cila mund ta ushtrojë këtë të drejtë vetëm një herë për të njëjtin ligj.
Cakolli ngriti gjithashtu çështjen e ndryshimeve të mundshme të projektligjit pas kthimit nga presidentja. Ai theksoi se Rregullorja aktuale e Kuvendit nuk e sqarojnë qartë procedurën për propozimin dhe miratimin e ndryshimeve.
“Mundësia e Kuvendit për të korrigjuar dispozitat e kundërshtuara është e natyrshme pas kthimit për rishqyrtim, pasi ndryshimet janë të nevojshme për të adresuar vërejtjet e presidentes”, tha Cakolli.
Ai vlerësoi se kufizimi i Kuvendit vetëm në miratimin ose rrëzimin e tekstit do të ngushtonte kuptimin e procesit të rishqyrtimit, veçanërisht kur kundërshtimet mund të adresohen përmes ndryshimeve të neneve të caktuara.
Nëse Ligji për Specialen kthehet në Kuvend, Komisioni për Legjislacion ka katër javë për të përgatitur raportin për seancë, me mundësinë që shqyrtimi të përfundojë edhe më herët. Interpretimi i Rregullores nga ky komision do të jetë i rëndësishëm për të sqaruar mënyrën e propozimit dhe votimit të ndryshimeve të mundshme.
Cakolli përmendi se në të kaluarën janë regjistruar të paktën tetë raste të kthimit të ligjeve nga presidentët e Kosovës, duke përfshirë katër nga Atifete Jahjaga, dy nga Hashim Thaçi dhe dy nga Vjosa Osmani. Një rast i tillë kishte përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, e cila kishte sqaruar kufijtë e kësaj kompetence dhe dallimin ndërmjet kthimit të ligjit për rishqyrtim dhe propozimit të amendamenteve nga presidentja.



