Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku u takua me kryetarin e këtij institucioni ligjvënës, Afrim Gashi, dhe mbajti fjalim para deputetëve, transmeton Anadolu.
MARKETING
Sipas një njoftimi nga Kuvendi, gjatë takimit, palët diskutuan zhvillimet aktuale rajonale dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
Millatoviq iu drejtua edhe deputetëve në sallën e parlamentit, duke e theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.
Dy vendet janë të lidhura nga miqësia e sinqertë, respekti i ndërsjellë dhe përkushtimi i përbashkët ndaj vlerave evropiane, ka thënë Millatoviq, duke shtuar se marrëdhëniet dypalëshe janë shembull i bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë në rajon.
Sipas tij, ekziston potencial i konsiderueshëm për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimit tregtar, veçanërisht në turizëm, bujqësi, transport dhe ekonominë digjitale.
Vizita e Presidentit të Malit të Zi synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe dërgimin e një mesazhi të fortë të bashkëpunimit dhe mbështetjes rajonale, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.


