I përgëzoj të gjithë qytetarët e Maqedonisë për fillimin zyrtar të negociatave për anëtarësim të plotë në BE. Përkundër sfidave me të cilat u ballafaquam gjatë viteve, qytetarët vazhduan të mbështesin përmbushjen e agjendës sonë evropiane, ka shkruar presidenti i shtetit Stevo Pendarovski në profilin e tij në Fejsbuk.
Ai njoftoi se po fillojmë një fazë të re për integrim politik, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane të kombeve, ku, shkruan Pendarovski, gjuha maqedonase do të jetë një nga gjuhët zyrtare të Unionit.
“Na pret punë e vështirë, investim i të gjithë kapaciteteve shoqërore dhe institucionale për fazat e mëtejshme të procesit të negociatave. Faleminderit të gjithëve që gjatë këtyre viteve ishin pjesë e institucioneve që punuan për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe investuan sa më shumë për integrim të suksesshëm evropian. Le të mundësojmë që vlerat evropiane të lirisë, demokracisë, drejtësisë, diversitetit dhe prosperitetit të mbretërojnë edhe këtu në vend, në atdheun tonë të përbashkët”, ka shkruar kreu i shtetit Pendarovski në Fejsbuk.