Komisioni Evropian thuajse në të gjitha raportet thekson se reformat në administratën publike po ecin ngadalë. Përbërja e mëparshme parlamentare nuk miratoi disa ligje kyçe për reformën në administratë, ndër të cilat ishin Ligji për zyrtarët administrativ, Ligji për të punësuarit në sektorin publik, si dhe Ligji për shërbimin e lartë drejtues, i cili është kyç për depolitizimin e punës së institucioneve publike. Ligji i fundit është vendimtar për emërimin e drejtorëve ekspertë në agjenci dhe institucione
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 nëntor – Në sektorin publik në Maqedoninë e Veriut janë aktive 1371 institucione dhe punojnë 128.879 persona, tregon Regjistri i Ministrisë së Shoqërisë Informative dhe Administratës. Numri shkon në rreth 160 mijë së bashku me ata që janë të punësuar me kontratë. Zvogëlimi prej 10 për qind i sektorit publik, siç është premtuar nga VMRO-DPMNE,në praktikë do të nënkuptonte shfuqizimin e 137 institucioneve me rreth 16 mijë të punësuar. Vlerësimi i Raportit të Progresit të Komisionit Evropian mbetet i njëjtë me atë të fundit, gjegjësisht KE vlerëson se vendi është i përgatitur mesatarisht dhe është arritur përparim i kufizuar me miratimin e amendamenteve të Ligjit për Organet e Administratës Shtetërore, me qëllim të përmirësimeve në lidhje me linjat e llogaridhënies, prezantimin e vlerësimit të ndikimit të rregullores për krijimin e organeve të reja dhe zvogëlimin e numrit të përdoruesve parësorë buxhetorë.
Megjithatë, KE-ja e vëren dhimbjen e vjetër, përkatësisht politizimin e administratës publike. Ka një kritikë të ashpër për dobësitë në ciklin e politikëbërjes që kërcënojnë rezultatet e reformës dhe integrimin në BE. Rekomandimet kryesore të Brukselit mbeten të vlefshme në kontekstin e miratimit të ndryshimeve ligjore për nëpunësit administrativë, punonjësit në sektorin publik dhe shërbimin e lartë drejtues, rishikimin dhe zbatimin e Ligjit për organet e administrimin shtetëror dhe miratimin e ligjeve përkatëse, si dhe rrumbullakimin e procesit të dixhitalizimi.
Në pritje të ligjeve për punonjësit e sektorit publik, për zyrtarët administrativë dhe për zhvillimin profesional dhe trajnimin e administratorëve, po realizohen analizat janë si të racionalizohet dhe modernizohet puna në sektorin publik. Ende e paqartë se si do të shkurtohet administrata , përderisa qeveria dhe opozita kundërvihen lidhur me depolitizimin e sektorit publik. Ministri Goran Minçev thotë se aktualisht po “ndihet pulsi i institucioneve dhe organeve që janë pjesë e Ministrisë së Administratës Publike”.
“Ne duam të masim ‘pulsin’ e këtyre institucioneve, si dhe të shkurtimit të këtyre bordeve drejtuese. Mirëpo nuk duhet të anashkalojmë edhe dialogun social që kemi me sindikatët që mos të shkaktojë revoltë shtesë në situatën të vështirë me pagat. Kur të kemi zgjidhjet përfundimtare, ato do të vendosen në sistemin “Ener” që të kemi transparencë dhe do të shqyrtohen dhe të jenë në dispozicion për të gjithë qytetarët”, thekson ministri Minçev. Një nga masat për administratë më efikase është edhe rikualifikimi i kuadrove jokompetent në vend të shkurtimit të administratës.
I pyetur se si të depolitizohet sektori publik, ministri Minçev përgjigjet se nëse ka vullnet politik dhe nëse ka një zgjidhje juridike që do ta mundësojë atë , kjo do të zbatohet. Pa atë vullnet politik nuk mund të ecim përpara, shton ministri Minçev. Edhe Kryeministri Mickoski foli edhe për depolitizimin e administratës publike. Duke iu drejtuar konferencës vjetore rajonale për administratën publike, kryeministri theksoi dixhitalizimin për të ulur radhët e pritjes në sportel, si dhe shpërblime për punonjësit më të vyeshëm të administratës. Planit të kryeministrit iu përgjigj opozitarja LSDM. “Në vend të fjalëve boshe në konferenca , duhen veprime konkrete: departizimi i menjëhershëm, sanksione për zyrtarët e korruptuar dhe vendosja e kritereve të qarta dhe transparente për punësim dhe avancim në administratë”, kërkojnë nga LSDM.
Nga Ministria e Administratës Publike, theksojnë se reformat synojnë rritjen e efikasitetit të administratës publike. Eksperti i kësaj fushe Borçe Davitkovski Davitkovski është i prerë se duhet të ketë një reformë urgjente në administratën publike. Ai thotë se në këtë mënyrë administrata do të “hajë” buxhetin dhe nuk do të kemi kurrë një komponent zhvillimor në të. “Duhet të fillohet me reforma reale, nëse sigurisht ka vullnet politik për të ulur numrin e të punësuarve nga njëra anë dhe me këtë, me uljen e numrit, të rriten pagat e atyre që realisht punojnë në admistratën publike, dhe akoma të paktën gjysma e këtyre parave do të mbetet në mënyrë që ato të ripërdoren për investime kapitale.
Ai shpreson dhe pret që reforma në administratën publike të rezultojë me hapa reformash më serioze, si riorganizimi i organeve brenda ministrive dhe organeve të pavarura të administratës shtetërore, rregullimi i sistemit të pagave në sektori publik (dhe administrata shtetërore si kategori më e ngushtë), llogaridhënie më e madhe e ndërmarrjeve publike dhe shoqërive aksionare shtetërore, zhvillimi profesional i stafit në sektorin publik, mundësimi i punësimit dhe avancimit në bazë të meritës dhe të ngjashme.
Sipas tij, realiteti dhe thelbi ynë që duhet ndryshuar shihet në sektorin e shëndetësisë, ku nga 22 mijë të punësuar, më shumë se gjysma janë administratë. Shembull tjetër është arsimi ku nga 40 000 punonjës, nga të cilët vetëm 20 000 janë ata që kryejnë veprimtarinë – mësues, mësimdhënës , profesorë universiteti, pjesa tjetër është administratë. Kur të marrësh shkencën, kulturën, arsimin, shëndetësinë dhe do të shohësh 50-60.000 punonjës. Merrni ministritë. Në to janë 18.500 të punësuar, ndërsa në vetëqeverisjen lokale janë rreth 6.000. Dhe ka mungesë të njerëzve nëpër ministri. Por ka aq shumë mbipunësim në ndërmarrjet publike sa nuk mund të punësojmë njerëz cilësorë në administratën shtetërore.
Komisioni Evropian thuajse në të gjitha raportet thekson se reformat në administratën publike po ecin ngadalë. Përbërja e mëparshme parlamentare nuk miratoi disa ligje kyçe për reformën në administratë, ndër të cilat ishin Ligji për zyrtarët administrativ, Ligji për të punësuarit në sektorin publik, si dhe Ligji për shërbimin e lartë drejtues, i cili është kyç për depolitizimin e punës së institucioneve publike. Ligji i fundit është vendimtar për emërimin e drejtorëve ekspertë në agjenci dhe institucione. Edhe pse me ligjet aktuale mund të bëhen reforma, nëse ka vullnet politik, Bashkimi Evropian po bën presion për miratimin e disa ligjeve, pasi në të kaluarën ka munguar vullneti për diçka të tillë. Pra, mbetet të shohim realizimin e premtimit për një administratë efikase dhe në shërbim më të madh të qytetarëve dhe biznesit, me shkurtimin e radhëve para sporteleve. (koha.mk)