Ministria për Punë të Brendshme njofton se prej sot nis zbatimi i sistemit “Qytet i sigurt, shtet i sigurt (Sejf Siti-Safe City)”, i cili automatikisht do të regjistrojë shkeljet në trafik përmes kamerave të vendosura në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe përgjatë autostradave të korridoreve 8 dhe 10. Deri në fund të vitit parashihet një periudhë provuese, gjatë së cilës shoferët do të marrin vetëm paralajmërime, ndërsa nga janari gjobat hyjnë në fuqi pa asnjë tolerancë.
Sistemi do të evidentojë shkelje si:
-tejkalim shpejtësie,
-kalim në semafor të kuq,
-dokumentacion të skaduar dhe
-parkim të parregullt.
Çdo pronar automjeti do të marrë SMS dhe email me link për shkarkimin e procesverbalit dhe gjobës. Brenda tetë ditëve mund të paguhet gjysma e gjobës, ndërsa pas afat detyrimit gjoba paguhet e plotë. Pagesa elektronike lidhet direkt me MPB-në, që do të njoftohet automatikisht për gjobat e paguara.
Në fazën e dytë të projektit planifikohet zgjerimi i listës së kundërvajtjeve që do t’i regjistrojë sistemi.
Qëllimi i “Sejf Siti” është rritja e sigurisë në trafik, pas numrit të lartë të aksidenteve të rënda vitet e fundit dhe kaosit me parkimet e parregullta.


