Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut është dhënë një dënim me burg për vrasjen e një qeni. Gjykata Themelore Penale në Shkup ka dënuar me tre muaj burg shtetasin Ljube Krstevski, i cili u shpall fajtor për vrasjen brutale të qenit Felix, ngjarje që ndodhi më 19 nëntor 2024.
Sipas aktakuzës, Krstevski kishte goditur në mënyrë të përsëritur qenin në kokë me një objekt të fortë, duke i shkaktuar tronditje truri dhe hematoma. Më pas, së bashku me Branko Bilbilovski, e kishin lidhur qenin me tela dhe e kishin tërhequr zvarrë deri te një kontejner, ku edhe e kishin hedhur, duke menduar se kishte ngordhur. Qeni ndërroi jetë më 7 janar 2025 nga pasojat e plagëve.
Përveç Krstevskit, gjykata dënoi edhe bashkëpunëtorin e tij, Branko Bilbilovski, me një gjobë prej 100 ditësh me nga 10 euro, në total 1.000 euro.
Vepra është klasifikuar sipas nenit 233 paragrafi 1 të Kodit Penal, që parashikon dënim me gjobë ose deri në tre vjet burg për çdo person që pa shkak vret një kafshë apo e torturon duke i shkaktuar dhimbje të panevojshme.
Çështja u gjykua nga gjyqtarja Lidija Petrovska, ndërsa përfaqësues i akuzës ishte prokurori publik Zoran Zdravev.
Ky vendim konsiderohet historik nga mbrojtësit e të drejtave të kafshëve, duke shënuar një precedent të rëndësishëm në luftën kundër dhunës ndaj kafshëve në vend.