Zëvendësministri për Arsim, Arbër Ademi, në Komisionin për Çështje Europiane u sqaroi deputetëve propozim ligjin për arsim të lartë, i cili kaloi fazën e parë të leximit dhe për të njëjtin nesër diskutohet në debat publik.
Sipas Ademit, ky ligj është mëse i domosdoshëm për t’u miratuar në vend, pasi që i njëjti do të përforcojë autonomin e universiteteve, veprimtarisë akademike, pavarësisë kuadrovike, organizmit dhe statusit studentor.
Në përpilimin e këtij propozim ligji morën pjesë grupe punuese të fushës akademike, ekspertë dhe studentë.
“Trajtohet autonomia e universiteteve dhe institucioneve të tjera për arsim të lartë. Po ashtu trajtohen dhe ofrohen zgjidhje konkrete ligjore për institucionet e arsimit dhe veprimtarinë e tyre. Ofrohen zgjidhje për studentët dhe organizatat studentore. Parashihen zgjidhje ligjore të lidhura me sigurimin, vlerësimin, zhvillimin dhe avancimin e kualitetit në arsimin e lartë… Risi në këtë propozim ligj është krijimi i Agjencisë për cilësi, në kuadër të të cilës do të jenë Këshilli Nacional për Akreditim dhe Këshilli për Evaluim, që do të kujdesen për cilësinë e programeve. Në pjesën e organizimit studentor rëndësi të madhe u jepet pjesëmarrjeve aktive të studentëve në politikat e universiteteve”,- deklaroi zëvendësministri i Arsimi dhe Shkencës, Arbër Ademi.