Dy ditë para përfundimit të afatit për ngritjen e aktakuzave, PPS ka ngritur 17 të tilla për 18 lëndë, ku gjithsej janë të përfshirë 94 persona fizik dhe 7 persona juridik. Mes të akuzuarve shqiptarë janë Ejup Halimi, Menduh Thaçi, Bedredin Ibrahimi dhe Ismet Guri. Janeva kërkoi që Gjykata që brenda 24 orëve të filloi me punë për lëndët ndaj të cilave janë ngritur 17 aktakuza. Sipas asaj që u tha sot (e enjte) në konferencën për shtyp të PPS, paraburgim kërkohet për: Nikolla Gruevski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Kiril Bozhinovski, Martin Protugjer, Sasho Mijallkov, Elizabeta Kançeska-Milevska, Vlladimir Peshevski dhe Dragan Pavlloviq-Llatas, shkruan Almakos.
Ndërsa, aktakuza nuk është ngritur për rastet “ Talir dhe “ Tabela”, ndërsa rastet “ Target” dhe “ Fortesa” janë bashkuar.
“ Talir” ka të bëjë me financimin e jashtëligjshëm të VMRO-DPMNE-së, ku të dyshuar janë lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, Emil Dimitriev, deputetja Daniella Rangellova dhe ish-ministri i Lidhjeve dhe Transportit, Mile Janakieski. Sa i përket këtij rasti, siç tha Janeva, nuk ka pengesa ligjore për ngritjen e aktpadive, por lënda është voluminoze dhe e komplikuar andaj duhet hetuar ende.
“Për “ Talir” nuk ka pengesa procedurale për tu ngritur aktakuza, por afati që kemi pasur në dispozicion është shumë i vogël dhe ka shumë material për tu studiuar dhe vëzhguar. Diçka që ka ndodhur për 8 vjet me rradhë, nuk mund që të analizohet brenda një muaji. Nga ana tjetër ka detyrime ligjore, të cilat e kemi patjetër që t’i respektojmë sa i përket rastit “ Talir”. Gjithashtu për këtë lëndë më vonë duhet të bëhet rishikimi dhe kontrrollimi nga ekspertët për të parë gjendjen faktike. Puna për “ Talir” do të vazhdojë edhe më tej” – tha Prokurorja Speciale, Katica Janeva.
Ndërsa sa i përket rastit “ Tabela” aktpadi nuk është ngritur për shkak të dyshimeve edhe ndaj disa funsionarëve të lartë, andaj për këtë arsye duhet të bëhen hetim dhe kontrrolle edhe më tutje.
Prokurorja Speciale, Katica Janeva, e cila sot personalisht u përgjigj në pyetjet e gazetarëve tha se gjatë ditës së sotme dhe nesër gjithashtu, do të dërgohen kutitë me materialet e këtyre lëndëve deri në Gjykatën Penale. Ajo tha se publiku duhet ta ketë të qartë se puna e PPS vazhdon edhe për tre vjet.
“ Dua të sqaroj publikun se për PPS si institucion professional dhe i pavarur, nuk ndryshon asgjë as dita e sotme dhe 1 korriku. Kjo prokurori ka kapacitet dhe do të vazhdojë të punojë edhe më tutje në zbardhjen e rasteve dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar”- tha Janeva.
Ndërkohë në pyetjen e gazetarëve se përse emir i të gjitha lëndëve fillon me shkronjën “T”, Janeva tha se kjo nuk ka ndonjë kuptim dhe se edhe lëndët e ardhshme do të marrin emra që fillojnë me të njejtën shkrojnë.
Si përfundim Janeva falnderoi institucionet me të cilat kanë bashkëpunuar si MPB, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave.
Me gjitha aktakuzat e sotme numri i përgjithshëm i aktakuzave të ngritura arrin në 20, ndërsa masë kujdesi është ngritur për 46 persona.
https://www.facebook.com/Almakos1/videos/1739653346075510/
Evi Shkopi
Almakos.com