Padi penale dhe kërkesë për paraburgim do të parashtrojë Prokuroria themelore publike nga Shkupi kundër ish u.d. drejtor i Regjistrit qendror, Andrea Popovski, për shkak të dyshimit se i ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare. Popovski, i cili dje u arrestua, ngarkohet se ka punësuar kuadro partiake.
Siç kumtoi sot PPRM, Prokuroria themelore publike Shkup solli Urdhër për zbatim të procedurës hetimore kundër pesë personave, prej të cilëve njëri është i dyshuar për vepër penale – Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare nga neni 353 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 nga Kodi penal, përderisa katër të tjerët dyshohen për ndihmë gjatë kryerjes së veprës së njejtë penale.
“Gjatë periudhës prej 16.12.2014 deri më 29.05.2017, i dyshuari i parë, në cilësinë e ushtruesit të detyrës drejtor i Regjistrit qendror, me tejkalim të kufijve të autorizimit të tij zyrtar, gojarisht ka urdhëruar që një e punësuar të evidentohet si rregullisht prezente në punë në listat mujore të cilat i ka përgatitur Sektori për resurse njerëzore, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se e punësuara tërë kohën nuk ka ardhur në punë, por ka qenë e angazhuar për aktivitete partiake të një partie politike. Në kundërshtim me aktet ligjore dhe rregulloret e Regjistrit qendror, lista e tillë ishte parashtruar në Sektorin për punë financiare-kontabiliste dhe në bazë të asaj, të punësuarës i është paguar rroga dhe kontributet e rrogës, me çka i është shkaktuar dëm i konsiderueshëm buxhetit të institucionit”, qëndron në kumtesë.
Duke vlerësuar se janë përmbushur bazat ligjore, ceket, prokurori kompetent publik në Gjykatën themelore penale Shkup do të parashtrojë Propozim për caktim të masës së paraburgimit për të dyshuarin e parë, përderisa për tre të tjerët e dyshuar do të kërkohet masa e kujdesit me qëllim që të sigurohet prania e tyre gjatë procedurës penale, qëndron në kumtesën e PPRM-së. .


