Pakënaqësi nga drejtimi në të cilin lëviz vendi, mbështetje e fuqishme për anëtarësimin në BE dhe rritje të perceptimeve pozitive për Turqinë tregon anketa e re e Qendrës për hulumtime të anketave nga Instituti Republikan Ndërkombëtar për Maqedoninë e Veriut.
Të pyetur për drejtimin e lëvizjes së vendit, vetëm 13 për qind e qytetarëve të Maqedonisë janë përgjigjur se vendi po ecën në drejtimin e duhur, ndërsa 58 për qind janë përgjigjur se po lëviz në drejtimin e gabuar. Njëzet e tetë për qind e të anketuarve ishin neutralë.
Anketa gjithashtu tregon mbështetje të fuqishme për anëtarësimin në BE edhe krahas rënies prej 11 për qind pikë nga nëntori i vitit 2021.
73 % e qytetarëve nga Maqedonia duan të inkuadrohen në BE, ndërsa 24 për qind nuk janë për inkuadrim në BE.
Nga ana tjetër, të pyetur “Nëse vendi duhet të anëtarësohet në një bashkim ndërkombëtar”, vetëm 13 për qind janë shprehur se ai duhet të jetë Bashkimi Euroaziatik, me në krye Rusinë.
Anketa tregoi se 87 % e qytetarëve pajtohen plotësisht ose disi pajtohen se marrëdhëniet e forta me Turqinë i shërbejnë më së miri interesave të vendit.